Për të gjithë ata që duan të informohen e të kuptojnë; për ata që janë të mëdyshur nëse duhet ta mbështesin protestën; për ata që i etiketojnë pedagogët si delirantë apo apatikë; për ata që kërkojnë të zbulojnë përkatësinë partiake të pedagogëve; për ata që nuk e mbështesin lëvizjen e pedagogëve; dhe për të gjithë ata që janë të gatshëm të reflektojnë. Duke qenë se shoqëria shqiptare është në krizë, universiteti po lëviz nga auditori në shesh dhe pedagogë e studentë po krijojnë një sinergji të revoltës, që nuk nënkupton thjesht daljen në rrugë për të kundërshtuar diçka, por edhe refuzimin e një gjendjeje të perceptuar si të padrejtë, thyerjen e apatisë dhe lindjen e një vetëdijeje kolektive.

Mbështetja e pedagogëve për studentët buron nga roli i tye profesional si pjesëtarë të komunitetit akademik dhe lidhet ngushtë me lirinë akademike, përgjegjësinë qytetare dhe funksionimin demokratik të institucioneve arsimore. Për ta kuptuar këtë mbështetje, duhet të shqyrtojmë jo vetëm arsyet që e motivojnë atë, por edhe mënyrën se si ushtrohet dhe pasojat që mund të prodhojë.

Mbështetja si shprehje e përgjegjësisë akademike
Pedagogët kanë një rol të rëndësishëm në formimin e mendimit kritik, në zhvillimin e përgjegjësisë qytetare dhe në aftësimin e studentëve për t’u kërkuar llogari institucioneve. Në këtë kuptim, mbështetja e tyre është, para së gjithash, një përgjegjësi profesionale. Ajo shprehet përmes dëgjimit serioz të shqetësimeve dhe kërkesave të studentëve, mbrojtjes së të drejtës së tyre për t’u shprehur dhe organizuar, nxitjes së debatit të lirë e të argumentuar dhe ndihmës për t’i shndërruar pakënaqësitë në kërkesa konkrete e të argumentuara. Njëkohësisht, kjo mbështetje kontribuon në krijimin e një mjedisi universitar ku mendimi kritik, mospajtimi dhe debati i hapur nuk shihen si kërcënime, por si pjesë thelbësore e jetës akademike.

Mbështetja si shprehje e përgjegjësisë institucionale
Duke reaguar ndaj problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët kontribuojnë në evidentimin e mangësive të sistemit të arsimit të lartë dhe në kërkimin e zgjidhjeve që mundësojnë një arsim më cilësor. Ky kontribut nuk kufizohet vetëm në shprehjen e solidaritetit. Ai përfshin analizën e kërkesave të studentëve, vlerësimin kritik të problemeve, hartimin e propozimeve dhe paraqitjen e argumenteve të mbështetura në njohuri profesionale e shkencore për përmirësimin e arsimit. Përgjegjësia institucionale e pedagogëve nënkupton gjithashtu se problemet e ngritura nuk duhen trajtuar si çështje që u përkasin vetëm studentëve, por si shqetësime që lidhen me cilësinë, drejtësinë dhe funksionimin e institucioneve arsimore.

Mbështetja si shprehje e qytetarisë aktive dhe të përgjegjshme
Pedagogët janë njëkohësisht pjesëtarë të komunitetit akademik dhe qytetarë, të cilët kanë të drejtën dhe përgjegjësinë të marrin pjesë në debatin publik. Përmes mbështetjes së tyre, ata kontribuojnë në diskutimin e problemeve shoqërore, paraqesin qëndrime kritike e të pavarura dhe propozojnë zgjidhje konkrete. Mbështetja e kërkesave të argumentuara të studentëve nuk nënkupton heqjen dorë nga gjykimi kritik. Përkundrazi, qytetaria e përgjegjshme kërkon që solidariteti të shoqërohet me respektimin e të drejtave të njeriut, të dinjitetit të çdo individi dhe të pronës publike e private. Ajo përfshin edhe të drejtën për të kundërshtuar veprime të caktuara të protestuesve, të institucioneve shtetërore dhe të policisë, kur ato vlerësohen të papranueshme.

Një universitet që nxit mendimin kritik, mbron lirinë e shprehjes dhe pranon mospajtimin nuk mund të qëndrojë indiferent përballë shqetësimeve të studentëve të tij. Prandaj, mbështetja e pedagogëve duhet kuptuar si një angazhim qytetar që mund të ndërthurë solidaritetin me studentët, mendimin kritik dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.

Aktualisht, pedagogët nuk po shprehin vetëm mbështetjen për studentët, por po bashkëveprojnë me ata duke luajtur rolin e qytetarit aktiv, duke u bërë faktor për zgjidhjen e krizës në vend. Pedagogët nuk janë thjesht transmetues të dijes, por mentorë të ndërgjegjes qytetare. Kur profesorati bashkohet me studentët, revolta pushon së qeni thjesht një revoltë rinore dhe kthehet në një revoltë legjitime mbarëshoqërore.

Si shprehet konkretisht mbështetja dhe aktivizmi i pedagogëve?
Pedagogët po i përmbushin këto role përmes formave të ndryshme të angazhimit të drejtpërdrejtë: pjesëmarrjes në tubime, nënshkrimit të deklaratave, shprehjes publike të solidaritetit, përfshirjes në diskutimin e kërkesave dhe të zgjidhjeve të mundshme si dhe të bojkotit të mësimit. Këto forma angazhimi tregojnë se mbështetja akademike nuk është domosdoshmërisht vetëm një qëndrim simbolik. Ajo po shndërrohet në një kontribut konkret në debatin publik dhe në përpjekjet për të adresuar problemet e ngritura nga studentët.

Çfarë shpreh deklarata e pedagogëve e datës 19 tetor 2026 dhe shpallja e bojkotit të mësimit nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë?

Deklarata e pedagogëveve mund të analizohet në disa dimensione të ndërthurura.

Solidariteti akademik. Duke i konsideruar studentët si një grup që duhet dëgjuar, deklarata mbron të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes, organizimin dhe mospajtimin.
Përgjegjësia qytetare. Përmes kërkesës për respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pronës, ajo thekson nevojën që protesta dhe reagimi ndaj saj të respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e të gjithëve. Përgjegjësia institucionale. Duke iu drejtuar kryeministrit dhe policisë lidhur me veprimet e tyre, deklarata kërkon përgjegjshmëri nga institucionet dhe ushtrimin e kompetencave të tyre në përputhje me të drejtat themelore dhe legjislacionin në fuqi.

Angazhimi politik. Duke paraqitur një alternativë për zgjidhjen e krizës në vend, deklarata hyn në debatin mbi drejtimin politik dhe institucional të shoqërisë. Ky dimension duhet dalluar nga përkatësia partiake, pasi një qëndrim publik kritik nuk nënkupton vetvetiu angazhim në një parti politike.
Mobilizimi shoqëror. Ftesa drejtuar qytetarëve për të mbështetur studentët synon ta shtrijë solidaritetin përtej mjedisit universitar dhe ta kthejë çështjen në një shqetësim të gjerë publik.
Dimensioni ndërkombëtar. Kërkesa për reagim publik nga përfaqësitë diplomatike synon ta vendosë çështjen edhe në vëmendjen e aktorëve ndërkombëtarë.

Në këtë këndvështrim, deklarata mund të lexohet njëkohësisht si akt solidariteti me studentët, si apel për respektimin e të drejtave të njeriut dhe si shprehje e angazhimit në debatin publik mbi krizën shqiptare. Këto dimensione nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, ato tregojnë se mbështetja dhe aktivizmi i pedagogëve mund të ketë njëkohësisht karakter akademik, qytetar, institucional dhe politik, pa u reduktuar domosdoshmërisht në një qëndrim partiak.

Ndërsa Sindikata e Punonjësve të Universiteve të Shqipërisë shpall bojkot të mësimit sepse pedagogët ndajnë të njëjtat oipinione me studentët në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj., sepse studentët nuk kanë marrë përgjigje për shqetësimet dhe kërkesat e tyre dhe sepse studentët po dhunohen në rrugë.

Mbi cilat parime mbështetet kjo lëvizje e universiteteve?
Organizimi i mbështetjes së pedagogëve për protestën studentore dhe aktivizmi i tyre mbështetet në disa parime themelore, si: solidariteti akademik, përgjegjësia profesionale, respektimi i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, autonomia universitare, pavarësia e studentëve, transparenca, përgjegjshmëria dhe orientimi drejt të mirës së përbashkët. Këto parime synojnë të garantojnë një mbështetje dhe aktivizëm të përgjegjshëm, demokratik dhe në përputhje me funksionin e universitetit në shoqëri.

Pedagogët nuk kanë detyrimin të pajtohen me çdo kërkesë apo veprim të studentëve, as të marrin përsipër drejtimin e protestës së tyre. Ata kanë, megjithatë, përgjegjësinë profesionale dhe qytetare që shqetësimet e studentëve të dëgjohen, të analizohen dhe të trajtohen seriozisht.

Në fund të fundit, çështja nuk është vetëm nëse pedagogët duhet ta mbështesin protestën e studentëve, por edhe çfarë universiteti dhe çfarë shoqërie duam të ndërtojmë. Misioni kryesor i universitetit në një shoqëri në krizë është të paraqesë të vërtetën, të mbrojë mendimin kritik, të prodhojë dije të besueshme dhe të kontribuojë në transformimin e shoqërisë përmes arsyes, lirisë akademike dhe përgjegjësisë qytetare. Universiteti është edhe një institucion që ndihmon shoqërinë të kuptojë shkaqet e krizës, të dallojë faktet nga propaganda, të vlerësojë alternativat dhe të gjejë rrugëdalje të mbështetura në dije e argumente.

Universiteti nuk mund ta zgjidhë i vetëm një krizë shoqërore, por mund të ndikojë në mënyrën se si shoqëria e kupton dhe përballet me të. Ai nuk duhet të jetë domosdoshmërisht në krah të një force politike, porNgaduhet të mbrojë kushtet që e bëjnë të mundur mendimin e lirë, dijen e besueshme, përgjegjësinë institucionale dhe dialogun demokratik.

Aktivizmi i pedagogëve nuk duhet parë as si akt heroizmi, as si shenjë delirimi, as si provë e një përkatësie partiake. Ai duhet vlerësuar mbi bazën e argumenteve, parimeve që mbron, mënyrës se si ushtrohet dhe kontributit që jep për një arsim më cilësor dhe një shoqëri më demokratike.

Çfarë tregojnë rastet evropiane?
Përvoja e protestave të studentëve në Evropë dëshmon se si lidhet misioni i universitetit me përgjegjësinë qytetare. Sipas Raportit të Unionit Evropian të Studentëve “Monitorimi i protestave studentore, mars – maj 2026”, publikuar më 28.9.2026, gjatë një periudhe 2 mujore u regjistruan 54 aksione proteste studentore në 22 vende të Evropës, si: Austri, Belgjikë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Republika Çeke, Francë, Gjeorgji, Gjermani, Greqi, Itali, Kosovë, Lituani, Holandë, Maqedoni e Veriut, Portugali, Rumani, Serbi, Sllovaki, Suedi, Turqi, Ukrainë dhe Mbretëri e Bashkuar. 12 prej tyre ishin në nivel kombëtar, që do të thotë se u shtrinë përtej një kampusi apo qyteti të vetëm.

Ndër shkaqet e regjistruara, 21 raste i referohen në mënyrë eksplicite qeverisjes politike dhe demokracisë, ndërsa 4 raste përmendin korrupsionin dhe nepotizmin si shkak. Ndër kërkesat e lidhura me to, 8 kërkesa kërkonin transparencë qeveritare, 5 kërkesa kërkonin dorëheqjen e zyrtarëve qeveritarë, në 7 aksione u kërkua dhënia fund e praktikave autoritare, 3 aksione kërkonin zgjedhje të parakohshme ose zgjedhje të lira.
Qeverisja demokratike ishte një nga shtytësit më të fuqishëm.

Në Serbi, aksionet studentore vazhduan të përqendrohen te llogaridhënia, transparenca, korrupsioni, liria e medias dhe trajtimi i protestuesve. Në Itali, organizatat studentore u mobilizuan në mënyrë të përsëritur lidhur me politikat qeveritare, qeverisjen demokratike dhe arsimin. Aksionet në Sllovaki, Maqedoninë e Veriut, Gjermani dhe Turqi tregojnë gjithashtu se si mobilizimi studentor vazhdon të tejkalojë kërkesat konvencionale për arsimin e lartë, duke u shtrirë në debate më të gjera mbi qeverisjen, të drejtat dhe demokracinë. Format e mbështetjes së studentëve nga pedagogët ishin publike, akademike, institucionale, sindikale, qytetare dhe ndërkombëtare.

Pra, ndërthurja e idealizmit dhe e energjisë së studentëve me autoritetin moral dhe pjekurinë intelektuale të profesorëve mund të prodhojë një sinergji që ushqen ndërgjegjen kolektive, forcon solidaritetin dhe gjallëron energjinë qytetare për të mbrojtur jo vetëm të rinjtë dhe universitetin, por edhe lirinë dhe të ardhmen e shoqërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb