Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian kërkon reforma konkrete, veçanërisht në sundimin e ligjit. Ky ishte mesazhi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, në Samitin e Procesit të Berlinit, të mbajtur në Mal të Zi. Merz theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike, dhe paralajmëroi se rajoni nuk duhet të kthehet në arenë rivaliteti mes fuqive të mëdha.

“Duhet të jetë gjithashtu e qartë se vullneti politik duhet të vijë nga vetë rajoni. Reformat e guximshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, janë parakushte të domosdoshme për çdo përparim.”

Kancelari gjerman nënvizoi se perspektiva evropiane duhet të shoqërohet me rezultate konkrete, duke theksuar se institucionet funksionale dhe një kuadër ligjor transparent janë thelbësore edhe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Kompanitë gjermane dhe evropiane që investojnë në këtë rajon dhe krijojnë vende pune kanë nevojë për kushte transparente dhe një kuadër ligjor të bazuar në sundimin e ligjit. Edhe në këtë drejtim ka suksese inkurajuese. Megjithatë, mbetet ende shumë për të bërë.”

Merz bëri të qartë se përgjegjësia për reformat mbetet te vetë vendet kandidate.

Në përfundim, ai kërkoi më shumë guxim politik për kapërcimin e bllokadave, veçanërisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb