Shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë katër mandate të garantuara në Parlament, si mënyrë për të siguruar një përfaqësim më të drejtë politik. Deputeti i Forumit Shqiptar dhe nënkryetari i Kuvendit, Nikola Camaj, ka theksuar se kjo kërkesë nuk përbën kusht për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese apo të ligjeve që lidhen me integrimin evropian.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi, Camaj deklaroi se do të angazhohet për garantimin e këtyre mandateve, duke e konsideruar çështjen si një të drejtë të komunitetit shqiptar.

“Pa asnjë kushtëzim, pakicat e kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën mënyrë, ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe pa kushte për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Sipas Camajt, rregullat aktuale zgjedhore nuk garantojnë përfaqësim të drejtë për komunitetet pakicë, ndërsa shqiptarët janë veçanërisht të prekur nga kjo situatë.

Ai kujtoi se garantimi i mandateve është diskutuar që në krijimin e shumicës aktuale parlamentare. Për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor ishte ngritur edhe një komision i posaçëm, por puna e tij u ndërpre pas largimit të opozitës.

Camaj kërkoi që të gjitha forcat politike të marrin përgjegjësi për përmirësimin e pozitës së pakicave dhe respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Ai nënvizoi se kërkesa për katër mandate nuk synon pazare politike, por përfaqësim të barabartë në institucione.

Sipas tij, rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të pakicave dhe mundësi të barabarta për çdo qytetar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb