Janë liruar pa dënim katër nxënësit shqiptarë të mitur, të cilët u ndaluan më 31 tetor në qytetin e Kotorrit në Mal të Zi, pas një konflikti verbal me një shtetase malazeze. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, të katër të miturit janë lënë të lirë dhe janë nisur drejt Shqipërisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi, e cila përmes një njoftimi ka dhënë detaje mbi ngjarjen dhe ndërhyrjen e saj për ofrimin e asistencës konsullore.

Sipas informacionit të përcjellë nga ambasada, ndalimi i nxënësve erdhi pas një konflikti verbal me një shtetase malazeze, pasi të miturit kishin formuar me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

Ambasada bën me dije se përfaqësuesi i saj ka qëndruar pranë katër nxënësve që nga momenti kur u mor dijeni për ngjarjen, gjatë gjithë procedurave ligjore dhe deri në nisjen e tyre drejt Shqipërisë.

Gjatë kësaj kohe është mbajtur komunikim i vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit e nxënësve.

Sipas informacionit të marrë nga autoritetet malazeze, gjatë procedurave për të miturit është garantuar respektimi i të drejtave të tyre, si dhe është siguruar prania e një avokati, përkthyesi dhe psikologu.

Ambasada shqiptare ka vlerësuar bashkëpunimin me autoritetet e Malit të Zi, duke theksuar se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb