Babai i Dukeshës së Sussex, Meghan Markle, është përfshirë në një skandal të rëndë, pasi ndaj tij kanë nisur hetime lidhur me dyshimet për posedimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë. Thomas Markle, 82 vjeç, është denoncuar nga djali i tij, Thomas Markle Jr., i cili pretendon se ka zbuluar qindra, madje mijëra imazhe dhe video të paligjshme në banesën e të atit në Filipine.

Sipas një raportimi të gazetës britanike The Sun, materialet e dyshuara janë gjetur në katër kuti të mëdha në shtëpinë e Thomas Markle në Cebu, ndërsa disa prej tyre ndodheshin edhe në një telefon të vjetër celular. Thomas Markle Jr., 60 vjeç, ka deklaruar se mes materialeve kishte video që dyshohet se përmbanin abuzim seksual me vajza të mitura, si dhe fotografi të tjera me përmbajtje të paligjshme. Ai pretendon se një prej imazheve mund të jetë realizuar në ish-banesën e babait të tij në Rosarito të Meksikës. I tronditur nga zbulimi, gjysmëvëllai i Meghan Markle ka vendosur të denoncojë të atin tek autoritetet. Sipas gazetës britanike, më 10 korrik ai ka njoftuar policinë, FBI-në, Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar, si dhe Policinë Shtetërore të Pensilvanisë.

“Kur e gjeta këtë material, u shokova. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta denoncoja babanë tim. E kam mbështetur, jam kujdesur për të dhe e kam ndihmuar për vite me radhë, por kjo mbaron këtu”, deklaroi Thomas Markle Jr. për The Sun. Ai ka treguar se është kujdesur për babanë e tij gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas problemeve serioze shëndetësore, përfshirë goditjen në tru që Thomas Markle pësoi në vitin 2022. Megjithatë, pas zbulimit të materialeve të dyshuara, ai ka deklaruar se nuk dëshiron të ketë më asnjë marrëdhënie me të atin. “Nuk do t’i flas më kurrë babait tim nëse nuk më thërrasin të dëshmoj kundër tij. Ajo që pashë më neveriti. I gjithë ky material ishte papritur para meje dhe nuk dija çfarë të bëja. E kuptova menjëherë se kjo ishte diçka krejtësisht e paligjshme. U ndjeva i tradhtuar, i zemëruar dhe i neveritur dhe kuptova se duhej ta denoncoja”, u shpreh ai.

Sipas The Sun, FBI-ja ka konfirmuar marrjen e denoncimit të Thomas Markle Jr., ndërsa një agjent federal thuhet se ka kërkuar të dhënat e kontaktit të hetuesve që po merren me çështjen në Filipine. Ndërkohë, autoritetet filipinase raportohet se ia kanë kaluar çështjen një grupi të posaçëm hetimor, nën mbikëqyrjen e strukturave të specializuara për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Deri më tani, nuk raportohet për ngritjen e akuzave penale ndaj Thomas Markle dhe pretendimet e bëra nga i biri mbeten objekt hetimi.

Skandali vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Meghan Markle dhe babait të saj kanë qenë të ndërprera prej vitesh. Dukesha e Sussex nuk ka pasur kontakte të afërta me të atin që prej martesës me Princin Harry në maj të vitit 2018. Thomas Markle ishte planifikuar fillimisht ta shoqëronte të bijën drejt altarit, por u tërhoq nga ceremonia pas polemikave për fotografitë e inskenuara me paparacët dhe problemeve të raportuara shëndetësore. Në vend të tij, ishte Mbreti Charles, në atë kohë Princ i Uellsit, ai që e shoqëroi Meghan Markle gjatë një pjese të rrugës drejt altarit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb