Mjekë, stomatologë, farmacistë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë i janë bashkuar protestës së studentëve, duke dalë me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Në deklaratën e tyre, profesionistët e shëndetësisë theksojnë se nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë situatës së krijuar, ndërsa e cilësojnë arsimin cilësor dhe të drejtën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në vend si çështje që i përkasin gjithë shoqërisë.
Ata kërkojnë që kryeministri Edi Rama të marrë përgjegjësi politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe të krijohen kushtet për një dalje paqësore nga situata.
Në përfundim, mjekët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë e cilësojnë të papranueshme lënien pa ndihmë të personave të lënduar dhe kërkojnë një hetim të shpejtë për rastet e denoncuara.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, stomatologë, farmacistë dhe punonjës të tjerë, i bashkohemi protestës së studentëve. Misioni ynë për të mbrojtur jetën e qytetarëve na ngarkon me detyrën për të mbrojtur jetën. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur.
Arsimi cilësor dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve.
Ndaj, ky grupim kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si akt të marrjes së përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe krijimin, në përputhje me Kushtetutën, të një qeverie tranzitore që të mundësojë daljen paqësore nga kjo situatë dhe respektimin e funksionimin e institucioneve.
Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe ndaj atyre që janë angazhuar për të dhënë ndihmën e parë. Studentët vullnetarë dhe personeli shëndetësor që ofrojnë ndihmë kërkojnë të mbrohen.
Punonjësit e policisë duhet të garantojnë jetën e qytetarëve, si edhe paprekshmërinë e pronës private. Duhet të mbrohen edhe banorët dhe kalimtarët. Përdorimi i gazit në sasi të mëdha dëmton edhe banorët dhe mund të ekspozojë qytetarë të çdo moshe.
Si profesionistë të shëndetësisë, e konsiderojmë të papranueshme lënien pa ndihmë të personave të lënduar. Kërkojmë hetim të shpejtë.”
