Këngëtarja kosovare Rinesa Qeriqi, e cila njihej me emrin artistik Rinesancë, ka humbur jetën në moshën 25-vjeçare. Artistja e re vuante nga një tumor në tru, me të cilin ishte diagnostikuar në vitin 2025.
Lajmi i vdekjes së saj ka shkaktuar pikëllim mes kolegëve të muzikës. Alban Skënderaj e ka kujtuar përmes një mesazhi, duke zbuluar se Rinesa kishte interpretuar personazhin e Leas në një prej videoklipeve të tij.
“Prehu në paqe Rinesa. Dhe pse tepër shkurt, e jetove jetën me guxim, si një ‘Lea’ e vërtetë”, ka shkruar këngëtari.

Edhe Dafina Zeqiri ka shprehur dhimbjen për humbjen e artistes: “Prehu në paqe e ëmbla Rinesa”. Mesazhe ngushëllimi kanë përcjellë gjithashtu Tayna dhe Fifi.
Pas zbulimit të sëmundjes, Rinesa iu nënshtrua operacioneve dhe seancave të radioterapisë. Përkeqësimi i shëndetit të saj i shtyu familjarët të kërkonin ndihmë financiare për të mbuluar shpenzimet e mjekimit.
Me origjinë nga Prishtina, Rinesa jetonte në Kanada, ku zhvillonte edhe veprimtarinë e saj artistike si këngëtare, autore tekstesh dhe kompozitore.
