Shoqëria ‘Advanced Arms Technology’, e krijuar në partneritet mes kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë private UNO18, ku ortakë janë Ron Yeffet dhe Arjeta Puço, ka vendosur të ndryshojë adresën kryesore dhe të zhvendoset në ish-Uzinën e Përpunimit të Bakrit në Rubik.

Vendimi ngre pikëpyetje mbi ecurinë e projektit të prodhimit të armëve dhe automjeteve për ushtrinë nga shoqeria KAYO, projekt i prezantuar nga qeveria si një prej objektivave të industrisë ushtarake në vend.

KAYO rrëmbeu ambientet e ish-redaksisë së News24, me synimin për t’i kthyer ato në hapësira për prodhimin e armëve dhe automjeteve ushtarake për Forcat e Armatosura. Por, në këto ambiente nuk ka nisur aktiviteti i prodhimit i premtuar.

Në këtë kontekst, një dokument i ri zyrtar i shoqërisë “Advanced Arms Technology” SHA, i datës 22 tetor 2026, parashikon ndryshimin e adresës kryesore të kompanisë.

Sipas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve, selia e shoqërisë do të jetë në ish-Uzinën e Përpunimit të Bakrit, Njësia Administrative Rubik, Bashkia Mirditë, ndërkohë që ka rreth një vit e gjysmë, që qeveria ka miratuar vendimin “për transferimin e pronësisë te shoqëria shtetërore “KAYO” SHA, të pronave të paluajtshme të objektit me emërtimin “Ish-Uzina e Përpunimit të Bakrit, Rubik”.

Ndryshimi i adresës ngre disa pikëpyetje. E para për të ardhmen e projektit në ambientet e News24. Pse prodhimi nuk ka nisur dhe cili është plani i kompanisë për vijimin e projektit?

Së dyti çfarë fshihet pas ndryshimit të adresës, pikërisht tani kur SPAK ka nisur hetime pas deklaratave të Arben Ahmetajt mbi veprimtarinë e shoqerisë KAYO dhe drejtuesit të saj dhe mbi rolin e biznesmenit izraelit Ron Yefet?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: