Një skelet dinosauri, i cili për vite me radhë besohej se i përkiste një Tyrannosaurus rex të ri, pritet të shitet në ankand për deri në 9 milionë dollarë. I pagëzuar me nofkën “Jodi”, ekzemplari i përket gjinisë Nanotyrannus, e cila u konfirmua si e veçantë nga T-Rex pas dekadash debatesh shkencore.
Skeleti, rreth 3 metra i gjatë, do të dalë në ankand nga shtëpia e famshme Sotheby’s në Nju Jork, me një çmim fillestar prej të paktën 6 milionë dollarësh.
Sipas Sotheby’s, ekzemplari përbëhet nga rreth 191 elementë fosile kockash dhe përfshin një kafkë pothuajse të plotë, të ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Shtëpia e ankandeve e cilëson atë si një nga vetëm tre skeletet e këtij lloji të njohura nga shkenca.
“Jodi” u zbulua nga fermerja Jodi Pierson në pronën e saj në Montana, SHBA, dhe më pas u gërmua nga paleontologu komercial Clayton Phipps. Fillimisht, skeleti u ekspozua si një T-Rex i mitur në një panair arti në Londër, në vitin 2023.
Megjithatë, studimet e mëvonshme konfirmuan se bëhej fjalë për Nanotyrannus, një dinosaur mishngrënës që jetoi rreth 67 milionë vjet më parë, në të njëjtën periudhë me Tyrannosaurus rex.
Ankandi ka rihapur debatin mes shkencëtarëve për shitjen private të fosileve të rralla. Disa paleontologë paralajmërojnë se ekzemplarë me rëndësi të madhe shkencore mund të përfundojnë në koleksione private, larg muzeve dhe publikut.
Profesori Steve Brusatte, paleontolog në Universitetin e Edinburgut, e ka cilësuar shqetësuese mundësinë që “Jodi” të përfundojë në duart e një koleksionisti privat, pa mundësi për t’u parë apo studiuar nga publiku.
Sipas tij, çmime të tilla janë të papërballueshme për shumë muze dhe universitete, duke rrezikuar aksesin e studiuesve te fosilet me rëndësi të veçantë.
Nga ana tjetër, paleontologia Megan Jenkins thekson se gërmimi dhe nxjerrja në dritë e ekzemplarëve të tillë kërkojnë kohë, përpjekje dhe investime të konsiderueshme. Ajo shprehet se shumë fosile të shitura privatisht mund të përfundojnë më vonë në muze.
Ankandi i “Jodit” vjen pasi një skelet Tyrannosaurus rex, i njohur si “Gus”, u shit për një shumë rekord prej 50.1 milionë dollarësh në korrik, duke shtuar shqetësimet për rritjen e çmimeve të fosileve të dinosaurëve në tregun privat.
