Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka ngritur akuza të forta ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke komentuar hetimet ndaj saj dhe rolin e institucioneve të drejtësisë. Toska pretendoi se drejtësia në Shqipëri është e kapur dhe vuri në pikëpyetje mënyrën se si po trajtohet çështja e Ballukut, ndërsa krahasoi situatën e saj me atë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë emisionit, gazetari shfaqi një fotografi të Pamela Qirkos, të cilën e identifikoi si motrën e Ballukut, dhe pretendoi se ajo kishte pasur rol në procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë sot në sistemin e drejtësisë.
“Kjo është Pamela Qirko, motra e Ballukut. Kjo ka bërë vettingun e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë sot në sistem. Kjo ka përzgjedhur ata që do të dënojnë motrën e saj, zonjën që njeh gjyqtarët dhe prokurorët”, u shpreh Toska, duke ngritur pikëpyetje mbi paanshmërinë e institucioneve.
Gazetari krahasoi çështjen e Ballukut me atë të Erion Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim, dhe pretendoi se trajtimi i dy rasteve është i ndryshëm.
“Nëse këtu do të ishte një qytetar i thjeshtë me kaq akuza sa Balluku, do të ishte në burg sot. Veliaj ka akuza dhe është në qeli sot. Ndërsa Ballukun, me disa akuza, nuk e gjen asgjë. Balluku duhet të ishte në burg sot!”, deklaroi ai.
Toska foli edhe për kushtet e qëndrimit të Veliajt në burg, duke pretenduar se atij i kufizohen takimet dhe se trajtohet si kërcënim për pushtetin. Këto deklarata u paraqitën nga gazetari si vlerësime të tij për mënyrën se si po trajtohet çështja.
Ai pretendoi gjithashtu se nga buxheti i shtetit mungojnë 1.2 miliardë euro si pasojë e veprimeve të Ballukut, pa paraqitur gjatë deklaratës dokumentacion që të vërtetojë këtë shifër.
Duke iu referuar hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres, Toska deklaroi se SPAK-u duhet t’i kishte kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestimin e saj. Ai ngriti pyetjen se përse Balluku nuk ndodhet në burg dhe pretendoi se ajo ka ndikim mbi kryeministrin Edi Rama dhe institucionet e drejtësisë.
“SPAK-u duhet t’i çonte kërkesën parlamentit për të arrestuar Ballukun. Pse nuk është në burg? Ka kapur prej këmbësh Edi Ramën dhe drejtësinë”, u shpreh gazetari.
Ai ngriti edhe pretendimin se Balluku kishte përgjuar për dy vjet prokurorët e SPAK-ut, duke thënë se kjo ishte zbuluar nga shërbimet, por pa paraqitur prova konkrete për këtë pretendim gjatë intervistës.
Sipas Toskës, Balluku është politikisht e përfunduar, por vijon të qëndrojë në detyrë për shkak të ndikimit që, sipas tij, ushtron mbi kryeministrin.
