Nga Dritan Shano

Franklin-i thoshte se koha është para. Disa banka duket se mbeten të vendosura të na i marrin të dyja.

Prej shumë kohësh, bankat presin që klientët t’u përshtaten atyre, jo e kundërta. Jemi mësuar me fjalëkalime që skadojnë, kode që nuk mbërrijnë kurrë, formularë që kërkojnë dy herë të njëjtin informacion dhe shërbime që na marrin më shumë kohë nga sa duhet. Na është kërkuar t’i pranojmë këto bezdi si pjesë të natyrshme të marrëdhënies me bankën. Kur kemi kundërshtuar, përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë, te sporteli apo edhe gjatë drekës me miq që punojnë në banka: kështu funksionon. Merre ose lëre.

Ardhja e Jet Bank në Shqipëri na jep një arsye për ta vënë në dyshim këtë pranim. Tek nisi punën në fillim të kësaj vere, Jet u bë banka e parë në vend pa asnjë degë fizike. E gjithë banka jeton në telefonin tënd. Rëndësia e saj nuk qëndron thjesht te mënyra si ofron shërbimet, por te mundësia për të ndryshuar se nevojave të kujt i shërben i pari sistemi bankar.

Bankat tradicionale nuk është se nuk e njohin teknologjinë dixhitale. Ato kanë aplikacione, shërbime online dhe pagesa elektronike. Aktiviteti bankar ka bërë një rrugë të gjatë që nga sporteli, formulari në letër dhe radha e klientëve.

Por ta dixhitalizosh një shërbim nuk do të thotë ta rimendosh atë.

Një bankë mund t’i kalojë procedurat e saj në ekraning e telefonit apo të kompjuterit dhe prapë të presë që klientët t’i përshtaten logjikës së brendshme të institucionit bankar, të ndjekin hapat e përcaktuar prej tij dhe t’u përgjigjen kërkesave të tij. Teknologjia ka ndryshuar, por marrëdhënia ka mbetur po ajo. Kur diçka nuk funksionon, telefonon shërbimin e klientit dhe dikush të shpjegon me durim se si duhet t’i bësh gjërat sipas mënyrës së bankës. Asnjë klient nuk ka nevojë të trajnohet për të përdorur bankën e vet. Ka nevojë që banka t’i shërbejë.

Mundësia më interesante në biznesin bankar duhet të nisë nga jeta e klientit, jo nga organizimi i bankës. Nga shërbime të ndërtuara rreth mënyrës se si njerëzit i përdorin paratë çdo ditë dhe kohës së pakët që ata kanë në dispozicion. Në fakt, të fitosh para është mjaft e vështirë. T’i përdorësh ato duhet të jetë më e lehtë.

Një bankë e re ka një avantazh që nuk blihet dot vetëm me investime: nuk ka zakone të vjetra për të mbrojtur. Një bankë e re e ndërtuar rreth klientit ofron një alternativë.

Bankat tradicionale kanë edhe një problem tjetër. Sistemet e tyre janë ndërtuar gjatë dekadave, copë pas cope. Aplikacioni është thjesht shtresa më e fundit e vendosur mbi të gjitha të tjerat. Për t’i bërë gjërat vërtet të thjeshta, duhet të ndryshosh atë që nuk duket. Kjo kërkon kohë dhe kushton. Një bankë që nis nga zeroja, si Jet, ka më pak huqe të vjetra për të harruar, apo pengesa të vjetra për të kapërcyer. Ky është një avantazh, por vetëm pikënisja. Rëndësi ka çfarë bën banka me të. Dhe gjëja më e mirë që mund të bëjë është t’u kursejë njerëzve kohën.

Koha është i vetmi burim që nuk mund ta rifitosh. Mund të humbasësh para, miq, madje edhe familjen, e të gjesh të tjerë. Kohë të re nuk mund të gjesh. Rrallë e llogarisim kohën që na merr banka, sepse ajo na ikën me copa të vogla: rivendosja e një fjalëkalimi, pesë minuta në pritje të operatorit, dhjetë minuta për të plotësuar një formular, një paradite pushim nga puna për të firmosur një dokument. Është kohë që e kalojmë duke i shërbyer bankës, në vend që banka të na shërbejë ne. Seneka ankohej se e shpërdorojmë kohën. Dhe të mendosh që atij nuk iu desh kurrë të rivendoste një fjalëkalim bankar.

Kjo kohë ka një çmim, edhe pse nuk shfaqet në asnjë pasqyrë llogarie. Një bankë e mirë e ul këtë çmim. Të lejon të bësh atë që të duhet me pak hapa të qartë, në çdo orë dhe kudo që të ndodhesh. Për një të ri, kjo mund të nënkuptojë hapjen e llogarisë së parë brenda pak minutash, pa qenë nevoja që një prind të marrë leje nga puna për gjysmë dite. Për dikë që punon në Gjermani apo Itali, do të thotë që mund t’i menaxhojë paratë pas një turni të gjatë pune, edhe atëhere kur degët e bankave në Shqipëri janë mbyllur.

Sot, çdo bankë ka një aplikacion. Çdo bankë ka para. Por banka që na kthen kohën tonë është ajo që meriton t’i çojmë biznesin tonë.

Koha është vetëm njëri nga dy çmimet që paguajmë për shërbimin bankar. Tjetri janë paratë. Prandaj thjeshtësia dhe transparenca duhet të ecin bashkë. Thjeshtësia të kursen kohë. Transparenca të mbron paratë dhe të fiton besimin. Duhet të jesh në gjendje të kuptosh çfarë paguan dhe çfarë merr, pa pas nevojë të deshifrosh shënimet me germa të vogla, pa zbuluar tarifa të papritura, pa hamendësuar marzhin e kursit të këmbimit dhe pa konstatuar se përfitimet e premtuara nga karta nuk mbërrijnë kurrë plotësisht tek ti.

Kur një bankë zgjedh të mos të tarifojë për diçka që mund ta tarifonte, njerëzit e vënë re. Dhe ua tregojnë miqve. Kompanitë shpenzojnë miliona për t’i bërë njerëzit të flasin për to. Një bankë që i trajton klientët me ndershmëri e fiton këtë pa paguar asgjë. Dhe nuk ka reklamë që mund të vlejë më shumë, sepse kur dikush rekomandon një bankë, vë në lojë edhe emrin e vet.

Evropa po ndihmon. Ndërsa Shqipëria lidhet me sistemet evropiane për pagesa në euro më të shpejta e më të lira dhe përafron rregullat e pagesave me ato të BE-së, transfertat ndërkufitare po bëhen më të lehta dhe bankave të reja po u krijohet më shumë hapësirë për të konkurruar. Por, të jemi të qartë, rregullat e hapin derën, por asnjë rregull nuk mund ta detyrojë një bankë të kalojë përmes saj.

Tani, një bankë e re nuk është automatikisht një bankë më e mirë. Bankat e konsoliduara e kanë teknologjinë për t’u shërbyer mirë njerëzve. Ajo që shpesh u mungon atyre është arsyeja për të ndryshuar zakonet e vjetra. Konkurrenca ua jep këtë arsye. Kur një bankë e re u tregon klientëve se si mund të jetë një shërbim i thjeshtë, transparent dhe i shpejtë, të tjerat duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Përfitojnë të gjithë klientët, pavarësisht se cilën bankë zgjedhin.

Jet Bank hyri në treg me disa parime të thjeshta: bankë në telefonin tënd, llogari që hapet brenda pak minutash, çmime të qarta dhe akses kudo e kurdo që të nevojitet. Asgjë nga këto nuk është e ndërlikuar. Dhe pikërisht ky është thelbi.

Ndoshta ky duhet të jetë kuptimi përfundimtar i bankimit dixhital. Klienti është pikënisja, ndërsa teknologjia është vetëm mjeti. Për mua, një bankë e mirë është ajo që e kam gjithmonë në xhep, por që rrallë më kërkon vëmendje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb