Një ngjarje e rëndë është raportuar në Selanik të Greqisë, ku një 41-vjeçar nga Pakistani pretendon se është dhunuar seksualisht nga gjashtë bashkatdhetarë, të cilët dyshohet se kanë filmuar abuzimin dhe më pas e kanë hedhur në ujërat e Gjirit të Thermaikos.
Sipas dëshmisë së viktimës, ngjarja ka ndodhur në orët e para të së martës së kaluar, në një hapësirë të hapur pranë Kishës së Gjithë Shenjtorëve, në pjesën perëndimore të qytetit.
Sipas denoncimit, një 40-vjeçar, së bashku me një 34-vjeçar dhe katër persona të tjerë ende të paidentifikuar, e kanë rrahur dhe përdhunuar në grup 41-vjeçarin. Njëri prej tyre dyshohet se ka regjistruar me video aktet e dhunës.
Viktima ka deklaruar gjithashtu se është plagosur me thikë në dorë. Pas dhunës, autorët dyshohet se e kanë hipur në një motoçikletë, e kanë transportuar drejt qendrës së qytetit dhe më pas e kanë hedhur në det.
Burri u shpëtua dhe u transportua me ambulancën e shërbimit të urgjencës EKAB në një spital të Selanikut, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Pas trajtimit, ai u largua nga spitali.
Pas denoncimit të 41-vjeçarit, policia greke nisi hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në ngjarje.
Oficerët e Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Kullën e Bardhë arritën të lokalizonin dhe arrestonin dy prej të dyshuarve mëngjesin e ditës së djeshme, në zonën e Ampelokipisë.
Të arrestuarit janë dy shtetas pakistanezë, përkatësisht 40 dhe 34 vjeç. Kundër tyre është ngritur çështje penale për vepra të dyshuara që lidhen me përdhunimin, tentativën e vrasjes, si dhe shkeljet e legjislacionit për armët dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e katër personave të tjerë të dyshuar.
