Një tragjedi e rëndë hekurudhore tronditi Spanjën, ku dy trena pasagjerësh u përplasën në jug të Madridit, duke shkaktuar të paktën 68 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, treni shtetëror Renfe u përplas me pjesën e pasme të një treni të kompanisë private Iryo, i cili kishte mbetur i ndaluar në shina. Përplasja bëri që disa vagonë të dilnin nga shinat, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit.
Në qendër të hetimeve janë një problem i mundshëm në sistemin kompjuterik dhe vendimet e qendrës së kontrollit për lejimin e rifillimit të lëvizjes së trenave pa kufizime shpejtësie.
Regjistrimet audio të komunikimeve mes kontrollorëve dhe drejtuesve duket se tregojnë se treni Iryo kishte raportuar se ishte i ndaluar dhe se kishte probleme me sistemin e sigurisë, ndërsa treni Renfe vijoi udhëtimin. Këto të dhëna kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën sesi u menaxhua situata përpara përplasjes.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta dhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm. Kryeministri Pedro Sánchez ka premtuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se çdo neglizhencë apo mangësi në sistemin e sigurisë do të trajtohet me seriozitet.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë punën për identifikimin e viktimave dhe ndihmën ndaj të plagosurve, ndërsa Spanja ka shpallur tri ditë zie zyrtare. Deri në përfundimin e hetimeve, shkaku përfundimtar i tragjedisë mbetet i paqartë.
