Deputetët e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi dhe Xhelal Mziu, janë solidarizuar me Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Në Kuvend, ata janë shfaqur me syrin e fashuar, në shenjë mbështetjeje për të riun, i cili iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale, fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Itali.
Rasti i Vishkullit ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa protestuesit kanë përdorur edhe më herët fasha në sy dhe bluza me mbishkrimin “Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” për të shprehur solidaritetin me të.
I riu u plagos në syrin e majtë gjatë protestës kombëtare të zhvilluar më 24 tetor në Tiranë.
Pas ngjarjes, Vishkulli u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku iu nënshtrua ndërhyrjes së parë kirurgjikale. Mjekët vlerësuan se, për shkak të natyrës së dëmtimit, ai kishte nevojë për trajtim më të specializuar dhe për një ndërhyrje të dytë.
Më 25 tetor, 28-vjeçari u nis drejt Romës, ku u shtrua për trajtim të mëtejshëm. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se ndodhej në spital dhe se do t’i nënshtrohej një tjetër operacioni, duke shprehur shpresën për të shpëtuar shikimin.
Lajmi i mirë për gjendjen e të riut u bë i ditur më 28 tetor. Sipas njoftimit të ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ndërhyrja kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë përfundoi me sukses. Mjekët arritën të nxirrnin trupin e huaj nga syri dhe të shpëtonin organin.
Megjithatë, rikuperimi i shikimit mbetet një proces që do të vlerësohet në vijim, në varësi të ecurisë pas operacionit. Për këtë arsye, suksesi i ndërhyrjes nuk nënkupton ende se shikimi është rikthyer plotësisht.
Plagosja e Vishkullit është bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka regjistruar procedim penal për dëmtimin e tij dhe po verifikon edhe dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Hetuesit kanë administruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë pranë Bankës së Shqipërisë dhe dokumentacionin mjekësor të të riut. Përmes bashkëpunimit me autoritetet italiane, synohet të sigurohet materiali i nxjerrë nga syri i tij, për t’iu nënshtruar ekspertizës dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një plumb gome apo për një objekt tjetër.
