Gazeta britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke vënë në fokus protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës, kërkesat e studentëve për largimin e kryeministrit dhe masat e reja ndëshkuese ndaj personave të pranishëm në grumbullime ku ndodhin akte dhune apo grabitjeje.
Sipas medias britanike, protestat po marrin përmasa më të gjera, ndërsa në qendër të pakënaqësisë së qytetarëve janë shqetësimet për korrupsionin, problemet në sistemin shëndetësor dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë. Studentët, sipas raportimit, po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Artikulli ndalet edhe te masat e reja të miratuara nga mazhoranca, të cilat, sipas Daily Mail, parashikojnë gjoba deri në 6 mijë dollarë për personat që ndodhen në turma ku kryhen akte dhune ose grabitjeje, edhe në rastet kur nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në këto veprime.
Përveç gjobave, masat i japin policisë mundësinë të kufizojë grumbullimet në zona që konsiderohen me rrezik të lartë. Raportimi i gazetës britanike vjen në një moment kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa kërkesat e studentëve janë përqendruar te përgjegjësia politike e qeverisë dhe largimi i Ramës nga detyra.
