Moderatorja dhe influencerja Fjoralba Ponari ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka ironizuar akuzat për abuzime me tenderat ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe propozimet e reja fiskale të qeverisë së Edi Ramës.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ponari ndalet te shifra prej 1 miliard eurosh, e përmendur në lidhje me akuzat ndaj Ballukut, duke bërë një përllogaritje për të ilustruar përmasat e shumës.

“Dje po shihja deklaratën e Lalës për ish-numrin dy të qeverisë, që akuzohet për abuzime me tendera, deri në vlerën e 1 miliard eurove. Një miliard euro. Njëshi me nëntë zero mbrapa. E di sa i duhet një njeriu që të shpenzojë 1 miliard euro? I duhen 55 vite jetë, ku çdo ditë të shpenzojë 50 mijë euro. Pa bërë asgjë, pa shtuar as edhe një cent në pasurinë e saj. 55 vite, ku ditën duhet ta ketë kuotën e shpenzimeve 50 mijë euro. Ejj…”, shprehet Ponari.

Përveç reagimit për çështjen e Ballukut, moderatorja ka kritikuar edhe paketën e re fiskale të propozuar nga qeveria, duke kundërshtuar rritjen e barrës fiskale.

“Me pafytyrësinë më të madhe, propozojnë taksa të tjera!”, shkruan Ponari në rrjetet sociale.

Propozimet e reja fiskale përfshijnë edhe çështjen e taksimit të influencerave, një kategori që mund të preket nga ndryshimet e parashikuara.

Kjo nismë ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ndërsa disa prej kritikëve e lidhin atë me klimën e tensionuar politike dhe protestat kundër qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb