Aktori britanik Sir Patrick Stewart ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles, pas një beteje me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupa Lewy. Lajmi u bë i ditur të enjten përmes një njoftimi të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.

“Ai u rrethua nga përqafimet e ngrohta të familjarëve dhe miqve, mes muzikës live, lutjeve, lotëve, të qeshurave dhe atij emocioni të thellë që vetëm ai mund të frymëzonte, pas një jete të tërë përkushtimi ndaj të gjithëve ne”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

Më tej, familjarët shprehen se do ta kujtojnë përgjithmonë qetësinë dhe reflektimin në fytyrën e tij, si një kujtim të hirit dhe dinjitetit që e karakterizuan gjatë gjithë jetës.

I lindur në Mirfield, në Yorkshire të Anglisë, Patrick Stewart ndërtoi një karrierë që zgjati më shumë se gjashtë dekada, duke u bërë një prej emrave më të njohur të teatrit, kinemasë dhe televizionit.

Ai u bë i famshëm në mbarë botën për rolin e kapitenit Jean-Luc Picard në serialin fantastiko-shkencor “Star Trek: The Next Generation”, ndërsa një tjetër rol i paharrueshëm ishte ai i Profesor Charles Xavier në sagën filmike “X-Men”.

Përpara suksesit në Hollywood, Stewart ishte pjesë e kompanisë prestigjioze teatrore Royal Shakespeare Company, ku interpretoi në një sërë veprash klasike. Ai u vlerësua për interpretimet e tij në skenë dhe në ekran, ndërsa në vitin 2010 u nderua me titullin kalorës nga Mbretëresha Elizabeth II për kontributin në artin dramatik.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb