Pesë persona, përfshirë katër fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve të menjëhershme që kanë goditur veriun dhe lindjen e Sirisë. Pesë persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet.
Stuhia, e cila ka përfshirë disa rajone të vendit që prej ditës së djeshme, shkaktoi mbytjen e katër fëmijëve në provincat Raka dhe Deir Ezzor. Një tjetër viktimë është një burrë, i cili humbi jetën në një aksident në një urë në Raka, bëri të ditur Ministria e Situatave të Emergjencave dhe Menaxhimit të Fatkeqësive.
Sipas autoriteteve, pesë persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkimit dhe shpëtimit janë në vijim.
Agjencia zyrtare siriane e lajmeve, Sana, raportoi se reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan edhe shembjen e një ure në provincën Raka, duke ndërprerë lidhjen rrugore me provincën fqinje të Alepos.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në zona të tjera të vendit. Shtëpi të shumta janë pushtuar nga ujërat, ndërsa disa rrugë janë dëmtuar rëndë, sipas mediave shtetërore dhe zyrtarëve lokalë.
