Gjashtë vite pas zjarrit shkatërrues që përfshiu një pjesë të Qytetit të Vjetër të Haniasë në Kretë, një ish-prift greko-kanadez 70-vjeçar është rikthyer përpara drejtësisë, i akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme në banesën e ish-bashkëshortes së tij.
Ngjarja ndodhi më 9 tetor 2020, kur i moshuari dyshohet se i vuri flakën një shtëpie historike prej druri, të ndërtuar në vitin 1623, në rrugën Porto. Zjarri shkatërroi plotësisht banesën dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe në pronat fqinje. I dyshuari arriti të shpëtonte duke dalë nga një dritare, por më pas u arrestua dhe u dërgua në spital.
Sipas mediave greke, para ngjarjes ai kishte dërguar disa mesazhe kërcënuese ndaj ish-gruas, e cila ishte kthyer nga Kanadaja në Hania për t’u larguar nga sjellja e tij agresive. Mesazhet përmbanin kërcënime të rënda, mes tyre: “Shtëpia jote do të bëhet hi”. Gruaja kishte njoftuar avokatin e saj, i cili kontaktoi policinë. Shtatë efektivë shkuan në banesë, por nuk arritën të hynin, pasi 70-vjeçari kishte bllokuar derën me mobilie. Ai deklaroi më vonë se kishte menduar t’i jepte fund jetës.
I pandehuri pretendon se vuante nga simptoma psikotike dhe kërkon që gjykata të marrë parasysh gjendjen e tij mendore, duke kërkuar një cilësim më të lehtë të veprës penale. Sipas deklarimeve të tij, ai dyshonte se ish-bashkëshortja kishte strehuar në atë banesë një partner të ri dhe kjo e kishte shtyrë të ndërmerrte aktin. Ish-prifti kishte shërbyer në Kryedioqezën e Amerikës nga viti 1982 deri në vitin 2015. Në procesin gjyqësor kanë marrë pjesë edhe pronarët e banesave fqinje, të cilët pësuan dëme materiale nga zjarri.
Gjatë seancës janë paraqitur dëshmitë e mëparshme dhe raportet mjekësore për gjendjen e të akuzuarit. Gjykimi është ndërprerë dhe pritet të vijojë në nëntor, kur 70-vjeçari do të paraqesë mbrojtjen e tij. Një nga çështjet kryesore që do të përcaktojë vendimin e gjykatës është aftësia e tij, në momentin e ngjarjes, për të kuptuar natyrën e veprimeve dhe pasojat e tyre.
