Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka rikonfirmuar qëndrimin e saj ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke deklaruar hapur se nuk ka asnjë arsye të pendohet për afrimin politik me të në fillim të mandatit të tij të dytë.

Meloni theksoi se marrëdhënia me Trumpin nuk ishte një zgjedhje personale apo një gjest politik pa objektiv, por një strategji në shërbim të interesave kombëtare të Italisë.

Sipas saj, mbajtja e kanaleve të komunikimit me Shtëpinë e Bardhë ishte e rëndësishme jo vetëm për Romën, por edhe për Evropën, sidomos në momentet kur marrëdhëniet mes dy anëve të Atlantikut po përballeshin me tensione.

“Unë mbrojta interesat tona kombëtare”, nënvizoi Meloni, duke shtuar se qëndrimi i saj u vlerësua edhe nga shumë vende të tjera evropiane.

Kryeministrja italiane vlerësoi gjithashtu se angazhimi i saj ndihmoi në ruajtjen e dialogut euroatlantik dhe në rikthimin e NATO-s në rolin e saj thelbësor.

Ajo kujtoi se edhe marrëdhëniet e mira që kishte pasur me ish-presidentin Joe Biden ishin kritikuar, duke lënë të kuptohet se diplomacia italiane nuk mund të udhëhiqet nga presioni i kritikave politike.

Meloni foli edhe për ekonominë italiane, duke theksuar përmirësimin e treguesve fiskalë dhe duke iu referuar vlerësimeve sipas të cilave deficiti publik ka zbritur nën pragun prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: