Një sasi prej mbi 56.7 kilogramësh lëndë narkotike Cannabis Sativa është sekuestruar në një zonë të pyllëzuar në fshatin Koman të Shkodrës, ndërsa në pranga kanë rënë katër persona. Një tjetër shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Operacioni policor i koduar “Gjurmët” u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale, pas disa javësh hetimesh me metoda proaktive.

Në kuadër të operacionit u arrestuan P. F., 45 vjeç, banues në Gomsiqe të Vaut të Dejës; M. P., 39 vjeç, banues në Dush të Va ut të Dejës; K. K., 33 vjeç, banues në Shkodër dhe D. N., 67 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë, u procedua në gjendje të lirë A. F., 38 vjeç, banues në Gomsiqe, vëllai i 45-vjeçarit të arrestuar.

Sipas hetimeve paraprake, pesë shtetasit dyshohet se bashkëpunonin për transportimin e lëndës narkotike me automjete dhe varka drejt një zone të pyllëzuar në Koman, ku e fshihnin dhe e përgatitnin për shitje.

Gjatë ndërhyrjes, policia kontrolloi një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të 45-vjeçarit P. F., si dhe automjetet në përdorim të dy prej të arrestuarve. Në këto ambiente u gjetën 10 thasë me mbi 56.7 kilogramë kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: