Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për rreziqet që mund të shfaqen gjatë protestës së paralajmëruar për të shtunën në kryeqytet.

Në njoftimin e saj, ambasada përmend përdorimin e gazit lotsjellës, mjeteve ndezëse, fishekzjarrëve dhe predhave të gomës.

Përmes një mesazhi zyrtar, qytetarëve amerikanë u bëhet thirrje të qëndrojnë larg demonstratave dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë institucioneve qeveritare.

Paralajmërimi vjen pas protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në qendër të Tiranës, të cilat janë shoqëruar me përplasje, hedhje gurësh, përdorim të mjeteve ndezëse dhe dëmtime të pronës.

Ambasada Amerikane nuk përjashton mundësinë e zhvillimit të protestave të tjera edhe në ditët në vijim, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.

Sipas njoftimit, grumbullimet mund të përhapen edhe përtej zonave të parashikuara, duke shkaktuar bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe shtim të pranisë policore.

Gjithashtu, paralajmërohet mundësia e kufizimeve në shërbimet publike, përfshirë transportin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Për këtë arsye, personelit të Ambasadës Amerikane i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.

Qytetarëve amerikanë u këshillohet të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale, të zbatojnë udhëzimet e policisë, të kenë një plan emergjence dhe largimi, si dhe të shmangin tërheqjen e vëmendjes gjatë qëndrimit në hapësirat publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb