Fatmira Nikolli

Akademiku Luan Omari u nderua për herë të fundit në një ceremoni homazhesh në Akademinë e Shkencave, një ditë pasi u nda nga jeta. Me një kontribut të madh që lë gjurmë në vend, e bija, gjuhëtarja Anila Omari rrëfeu ndikimin që pati në jetën e saj si baba.

“Luan Omari ka qenë se pari, babai im i dashur, që më ka edukuar me shembullin e tij personal, e jepte këtë ndikim përmes sjelljes, jetës dhe korrektesës së tij personale. Do më mungojë mirësia e tij, sidomos këto kohë e fundit, që kishte kujtesë të dobët dhe i doli në pah thelbi i tij, i butë e i ëmbël, që për çdo gjë që i shërbeje, falënderonte” tha Anila Omari.

Një prej figurave të shquara të mendimit juridik shqiptar arsimit të lartë dhe mendimit kushtetues në vend, Luan Omari, u vlerësua nga ish studentë, akademikë e bashkëpunëtorë që vijojnë punën e tij në disa fusha.

Artan Hoxha, rektor UT tha se te Omari, “madhështia e dijes bashkëjetonte me thellësinë e fisnikërinë njerëzore. Ai ishte shtyllë e dijes”, theksoi ai.
Aurela Anastasin, konstitucionaliste, tha se përmes Omarit mësoi jo vetëm lëndët mësimore, por “kisha fatin që në vitet 80 të më jepte leksione. Ai shquhej për kulturën e urtësinë e tij dhe dijen jo vetëm lindore por edhe perëndimore”, tha ajo.
Ksenofon Krisafi, historian vuri në dukje se “dija juridike sipas Omarit nuk kishte vlerë nëse nuk vihej në shërbim të dinjitetin të njeriut, lirive e të drejtave dhe demokracisë”.
Maks Haxhia, Rektor i Universitetit Luarasi dhe Kreu i Dhomës së Avokatisë që e ka pasur profesor, Omari “la pas vepra monumentale dhe imazhin e një njeriu tepër human, social e shoqëror”.
Për kreun e Akademisë se Shkencave, Skënder Gjinushi, “emri i Omarit njësohet me akademinë dhe botën akademike e shqiptare”.

Omari u shua në moshën 101-vjeçare. Ai ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës, sistemin juridik shqiptar dhe zhvillimin kushtetues të vendit dhe pjesë e proceseve për hartimin e Kushtetutës demokratike, dekan dhe profesor në Fakultetin e Drejtësisë, etj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb