Protestat që kanë përfshirë Francën duket se kanë nxitur demonstrata edhe në vende të tjera të Evropës. Italia, Spanja, Portugalia dhe Gjermania janë ndër vendet ku janë zhvilluar ose priten protesta, me pjesëmarrjen e të rinjve, studentëve, sindikatave dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
Në Itali, qyteti i Milanos u përball me episode plaçkitjesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe policisë rreth dy javë më parë.
Përballë situatës, kryeministrja Giorgia Meloni njoftoi një paketë masash për forcimin e sigurisë, ku përfshihet edhe angazhimi i ushtarëve, si dhe ashpërsimi i dënimeve për të miturit e përfshirë në akte dhune.
Ndërkohë, në Gjermani protestat e studentëve po zhvillohen paralelisht me demonstratat në Francë. Sipas raportimeve të mediave gjermane, mbi 180 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në protesta në 34 qytete, mes tyre Berlin, Hamburg, Frankfurt dhe Mynih.
Megjithatë, pjesëmarrja faktike deri më tani raportohet të jetë më e ulët se shifrat e regjistrimeve. Në Berlin, Frankfurt dhe Mynih janë raportuar rreth 6 mijë protestues.
Në Itali, lëvizja e sapoformuar “17 Tetori”, së bashku me grupet studentore, sindikatat dhe koalicionet kundër luftës, është përmendur si një nga nxitësit kryesorë të mobilizimeve.
Ndërkohë, edhe Shqipëria është përfshirë në këtë panoramë protestash, me të rinjtë që kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Demonstratat në disa vende evropiane tregojnë për një valë mobilizimi qytetar, ndërsa në ditët në vijim priten protesta të tjera në qytete të ndryshme të kontinentit.
