Punonjësit e Gardës së Republikës kërkojnë rishikimin urgjent të pagave, duke ngritur shqetësimin se nuk po trajtohen financiarisht në përputhje me përgjegjësinë dhe specifikën e detyrës së tyre.

Përmes një reagimi publik, Sindikata e Gardës i bën thirrje strukturave përgjegjëse dhe Ministrisë së Financave të hartojnë një program konkret për rritjen e pagave.

Sipas sindikatës, prej vitit 2001 institucioni nuk është vlerësuar siç duhet, ndërsa diferenca historike prej 15 mijë lekësh me institucionet e tjera të sigurisë është zhdukur ndër vite.

Punonjësit argumentojnë se gatishmëria e përhershme, presioni dhe përgjegjësia për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, vendase dhe të huaja, kërkojnë një trajtim financiar të diferencuar.

“Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet”, thuhet në reagim.

Sindikata kërkon hapa konkretë dhe paralajmëron se çështja e rritjes së pagave nuk mund të lihet më në harresë.

Reagimi i Sindikatës së Gardës së Republikës vjen në një kohë kur qeveria ka miratuar shpërblimin financiar për mijëra punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, pas përplasjeve me studentët në protestat e dy javëve të fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb