Në një hap historik për komunitetin shqiptaro-amerikan, Diamant Hysenaj, shqiptari i parë që kandidon për Kongresin e SHBA-së në qarkun e 14-të (New York, Bronx dhe Queens), ka bashkuar forcat me Bruce Blakeman, kandidatin për guvernator të New York-ut.

Ky partneritet vjen si një thirrje e fuqishme për ndryshim, lehtësim ekonomik dhe mbështetje të pakushtëzuar për familjet dhe bizneset.

Gjatë takimit të tyre, Bruce Blakeman vuri në dukje se taksat e larta, faturat e papërballueshme të energjisë dhe çështjet e sigurisë publike kërkojnë veprim të menjëhershëm, duke u zotuar se së bashku do të punojnë për të ulur taksat, përgjysmuar faturat e dritave e ujit dhe për të rritur sigurinë në komunitete.

Nga ana e tij, Diamant Hysenaj theksoi rëndësinë e kësaj mbështetjeje për diasporën dhe nevojën jetike për një udhëheqje që kupton vërtet sfidat e qytetarëve, duke i dhënë një zë të fuqishëm përfaqësimit shqiptar në nivelet më të larta të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara.

Diamant Hysenaj: Përshëndetje! Unë jam Diamant Hysenaj, jam kandidat për Kongres të Amerikës në qarkun e 14-të, Bronx dhe Queens. Jam me Bruce Blakeman, kandidatin për guvernator të ardhshëm për New York-un, Bruce Blakeman. Faleminderit!

Bruce Blakeman: Faleminderit shumë. Të gjithë miqtë e mi shqiptaro-amerikanë po ankohen për taksat e larta, kostot qesharake të shërbimeve dhe mungesën e sigurisë në komunitetet tona. Kështu që së bashku, ne do të punojmë për të ulur taksat, për të përgjysmuar faturat e shërbimeve dhe për të krijuar komunitete më të sigurta, apo jo?

Diamant Hysenaj: Po, po zotëri, Bruce. Zoti të bekoftë. Taksat tona, të shqiptarëve, janë shumë të larta, energjia është shumë e shtrenjtë, kemi nevojë për një lider, një guvernator në New York që na ndihmon familjet tona, të gjithë shqiptarët. Bruce, këtë njeri e kemi në anën tonë!

Bruce Blakeman: Dhe një kongresmen të ri!

Diamant Hysenaj: Po zotëri, le t’ia nisim!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb