Kur shpalli se Zoti ka vdekur, kur hodhi mes nesh profetin e tij Zarathustra dhe krijoi Mbinjerun, Niçe e trazoi botën si askush tjetër më parë. Ai shkallmoi gjithë arkitekturën e mendimit dhe filozofisë deri në atë kohë. Prej fundit të shekullit të të 19-të e deri sot, filozofi gjerman ka ndikuar dhe ka ndezur polemika të vazhdueshme. Që herët disa kritikë kanë shpallur se Niçe ishte më shumë një poet rrebel, ai nuk krijoi një shkollë mendimi si fjala vjen, Kanti apo Hegeli. Por sërish, krijoi turbulenca që ende sot vijojnë të ndihen. Veçanërisht, tërmeti i tij ndikoi në teologji dhe në besimin e botës kristiane. Dihet mirë se çdo njohës, teolog, ushtrues, besimtar apo prift, ka një kundërshtar për të mundur. Ai është Niçe.
Kuptohet se tek ne, më së shumti jemi mjaftuar me debatin e madh që mendimtarët kanë bërë në këtë lëmi, dhe ose i kemi ndjekur në origjinal ose kemi pritur sa janë përkthyer. Por ka hulumtues që kanë bërë betejën e tyre.
Andrea Xhani është një avokat në Berat, me pasion të madh për teologjinë dhe mistikën. Ai i ka kushtuar shumë kohë shpalljeve të Niçes, dhe është përpjekur të luftojë me to. Në dy libra, “Zarathustra, Don Kishoti i Filozofisë”, dhe “Iluzionet Niçeane”, Xhani sjell argumentet e tij pse zbulesat e Niçes janë të pamjaftueshme dhe nuk ja kanë dalë të sjellin një rend apo udhëheqje morale e shpirtërore për botën, por vetëm kanë kontestuar atë 2 mijë vjeçare.
Xhani arrin në konkluzionin se Niçe me gjithë pretendimin nuk ja doli të krijojë një udhëzues universal për njerëzimin. I tillë ngelet vetëm burimi më i lartë i dijes dhe të vërtetës, ai hyjnori.
Në këtë konteskt, autori dallon kufizimet dhe limitet njerëzore tek konkluzionet dhe librat e filozofit gjerman.
Nëse Niçe goditi traditën kristiane dhe u përpoq ta çlirojë njeriun nga morali i fesë që e konsideronte një pengesë ose burg, sipas Xhanit, ai nuk ja doli të shtrojë një rrugë të re, një rend të ri, një lidership tjetër universal.
Jo pak filozofë dhe mendimtarë kanë tentuar të jenë zbulesa e re e botës për të hedhur poshtë ekzistuesen. Edhe Marksi ishte një nga ata. Ai ndikoi si pakkush, Europën dhe botën me manifestin e tij. Edhe ai shpalli se nuk ekziton shpirtërorja, por vetëm lënda, duke mohuar krijuesin. Por sërish, transhendentalja ka vijuar, dhe është pjesë e njerëzimit, aty ku bota gjen sërish burimin.
Eshtë shumë interesante që në ditët tona kur njerëzit nuk kanë shumë kohë për përsiatje e reflektim, ku shumica rend pas materiales, pas pasurisë, lakmisë dhe vesit, ka prapë njerëz që ndjekin pasionin për shiprtëroren, për mistikën, për debatet e mëdha të universit. Andrea Xhani është një nga ata. Në një qytet si Berati që nuk nxiton shumë, pasi mbyll punët e ditës si avokat, ai hulumton në temat e përtejme dhe na sjell libra si këto që ja vlen të lexohen.
