Autoritetet ruse mbyllën përkohësisht parkun-muze Tsaritsyno në Moskë, pas paralajmërimeve për një kërcënim të mundshëm terrorist. Alarmi ishte dhënë fillimisht nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas edhe nga Gjermania, ndërsa objekti u rihap për vizitorët të dielën.

Sipas raportimeve të mediave ruse, ambasada gjermane kishte dërguar një njoftim përmes sistemit të paralajmërimit të Ministrisë së Jashtme, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregoheshin vigjilentë dhe të shmangnin ambientet e mbipopulluara.

Një ditë më herët, edhe Ambasada Amerikane në Moskë kishte paralajmëruar për një kërcënim konkret ndaj parkut-muze, që ndodhet në pjesën jugore të kryeqytetit rus. Uashingtoni këshilloi qytetarët e tij të shmangnin vizitat në këtë destinacion, por pa dhënë detaje mbi natyrën e kërcënimit apo personat që mund të qëndronin pas tij.

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) konfirmoi se kishte marrë informacionin nga pala amerikane përmes një kanali komunikimi mes shërbimeve partnere. Sipas agjencisë TASS, autoritetet ruse ishin vënë në dijeni dhe kishin nisur marrjen e masave përkatëse.

Paralajmërimi ka rikthyer vëmendjen te sulmi terrorist në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë, pasi edhe në atë rast ambasada amerikane kishte lëshuar një alarm rreth dy javë përpara ngjarjes. Sulmi i atëhershëm, i kryer nga terroristë islamikë, u mori jetën 151 personave.

Parku-muze Tsaritsyno shtrihet në një sipërfaqe prej 405 hektarësh dhe përfshin pallate me arkitekturë neogotike, zona pyjore, ura dhe liqene. Ai u themelua në vitin 1775 si rezidencë verore e perandoreshës Katerina e Madhe dhe u kthye në një muze në vitin 2007, pas restaurimit të kompleksit.

Sot, Tsaritsyno është një nga destinacionet e njohura turistike të Moskës, duke pritur rreth dy milionë vizitorë në vit. Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të mëtejshme mbi kërcënimin që çoi në mbylljen e përkohshme të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb