Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një festë Halloween pranë Universitetit të Delaware, në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, më 31 tetor, në qendër të qytetit Newark, duke shkaktuar panik mes dhjetëra studentëve dhe personave të tjerë që po festonin.

Sipas raportimeve, të shtënat u dëgjuan pak pas orës 23:00, në një zonë të mbushur me njerëz të veshur me kostume Halloween-i. Menjëherë pas krismave, turma u shpërnda në panik, ndërsa studentët shihen në videot e publikuara në rrjetet sociale duke vrapuar nëpër rrugë për të gjetur strehim.

Gjashtë të plagosurit u transportuan në spitalet e zonës, por deri më tani nuk ka informacion të saktë për gjendjen e tyre shëndetësore. Gjithashtu, nuk janë bërë publike të dhëna për ndonjë person të arrestuar apo për autorin e dyshuar të të shtënave.

Dëshmitarët kanë përshkruar momente kaosi dhe frike. Njëri prej tyre tha për NBC Philadelphia se njerëzit vraponin dhe bërtisnin, ndërsa helikopterët ndriçonin zonën nga ajri. “Situata u bë kaotike shumë shpejt”, tregoi ai.

Një tjetër dëshmitar tha se fillimisht mendoi se zhurma e fortë vinte nga makinat, por pak çaste më vonë pa njerëzit që nisën të vraponin për t’u fshehur.

Një person tjetër tregoi se ishte përpjekur t’i vinte në ndihmë një të plagosuri, duke i hequr këmishën dhe duke ushtruar presion mbi plagën e shkaktuar nga arma e zjarrit. “Ai më shtrëngoi dorën, sikur të isha shpresa e tij e fundit”, rrëfeu dëshmitari.

Universiteti lëshoi një alarm emergjence pak para orës 23:30, duke njoftuar studentët për incidentin dhe duke u kërkuar të shmangnin zonën. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb