Sulmet kibernetike kanë prekur edhe industrinë e përpunimit të mishit në Mbretërinë e Bashkuar, duke ngritur shqetësime për sigurinë e bizneseve ushqimore, pas një serie sulmesh që kanë goditur supermarketet në disa vende të Evropës.
Lajmi u konfirmua nga Paul Chichester, drejtor i operacioneve në Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC), i cili bëri të ditur se ndikimi në Britani ka qenë i kufizuar. Megjithatë, institucioni po bashkëpunon me bizneset e prekura për të vlerësuar situatën.
Sulmet kanë shënjestruar sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarkete në disa vende evropiane, përfshirë Irlandën dhe Francën. Si pasojë, temperaturat në pajisjet frigoriferike janë rritur, duke shkaktuar prishjen e produkteve ushqimore.
Kreu i NCSC-së, Richard Horne, deklaroi se sulmi në Francë kishte shfrytëzuar teknologji të vjetër të lidhur me internetin, e cila përdorte fjalëkalime standarde dhe ishte e cenueshme ndaj ndërhyrjeve.
Ai bëri të ditur gjithashtu se agjencia britanike GCHQ kishte punuar gjatë gjithë natës për të kontaktuar organizatat në Mbretërinë e Bashkuar që mund të ishin të ekspozuara ndaj një sulmi të ngjashëm.
Autoritetet britanike po bashkëpunojnë me bizneset për të parandaluar përhapjen e sulmeve dhe për të forcuar sigurinë e sistemeve teknologjike që përdoren në sektorin ushqimor.
