Një kontroll rutinë i policisë në Skoci ka përfunduar me një zbulim sa të pazakontë aq edhe të papritur. Oficerët që ndaluan një automjet të dyshuar për transportimin e drogës gjetën në sediljen e pasme një qengj të vogël, i cili po hante patatina nga një qese, ndërsa në makinë u sekuestruan kokainë dhe heroinë me vlerë mijëra paund. Ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2023, në autostradën M74 në Glasgow. Në automjet udhëtonin 56-vjeçari John McNeill dhe partnerja e tij e atëhershme, Lindsay Sangster. Gjatë kontrollit, policia gjeti nën sediljen e pasagjerit dy qese me kokainë, me vlerë rreth 4,640 paund, dhe heroinë që kapte vlerën e 10,050 paundëve. Por vëmendjen e efektivëve e tërhoqi edhe një qengj i vogël, i ulur në pjesën e pasme të makinës.
Kur u pyetën për kafshën, McNeill pretendoi se partnerja e tij ishte një “bari në stërvitje”. Më vonë, të dy deklaruan se e kishin gjetur qengjin në anë të rrugës dhe e kishin marrë me vete për ta shpëtuar. Kafsha u pagëzua me emrin Pablo, në nder të bosit të njohur kolumbian të drogës, Pablo Escobar. McNeill dhe Sangster u shpallën fajtorë për posedim të kokainës dhe heroinës me qëllim shpërndarjen e tyre. Në seancën e dënimit, 56-vjeçari nuk u dënua me burg, por gjykata e urdhëroi të kryejë 300 orë shërbim të papaguar në komunitet, të mbajë monitorim elektronik për gjashtë muaj dhe të respektojë një shtetrrethim nga ora 20:00 deri në 05:00.
Sangster nuk u paraqit në seancën e dënimit, ndaj për të u lëshua një urdhër arresti. Në një proces të veçantë, ajo pranoi se kishte drejtuar automjetin nën ndikimin e drogës. Gjykata i ndaloi drejtimin e automjetit për 18 muaj dhe e dënoi me 100 orë shërbim në komunitet. Ndërkohë, u zbulua se qengji i përkiste fermës North Lanrigg në Motherwell. Pronarja, Kirsty Mair, deklaroi se nuk i kishte dhënë çiftit leje për ta marrë kafshën.
Pas sekuestrimit, Pablo u dërgua në një fermë në Ayrshire, ku qëndroi për 48 deri në 72 orë përpara se t’i kthehej pronarit. Akuza për përvetësimin e paligjshëm të qengjit u rrëzua gjatë procesit, pasi në atë kohë nuk ishte raportuar zyrtarisht vjedhja. Sot, Pablo gëzon shëndet të mirë dhe është përshtatur me qengjat e tjerë të vegjël. Ndërsa McNeill, sipas avokates së tij Bronwyn Moore, tashmë punon si drejtues ekipi në një kompani ndërtimi. Ajo deklaroi se në kohën e arrestimit klienti i saj ndodhej në kulmin e varësisë nga droga.
