Shkrimtari Ben Blushi ka rrëfyer një prej ngjarjeve më pak të njohura të historisë së Tiranës, gjatë intervistës në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko. Ai tregoi se në vitin 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti u bombardua nga avionë britanikë dhe amerikanë, duke shkaktuar, sipas tij, rreth 500 viktima, mes tyre edhe fëmijë.
Blushi tha se kjo ngjarje ka mbetur për dekada e panjohur për publikun shqiptar, ndërsa u ndal edhe te periudha e komunizmit, trazirat e vitit 1997 dhe vështirësitë që ka hasur gjatë hulumtimit për librin e tij të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”.
I pyetur se cila histori e ka prekur më shumë, shkrimtari rrëfeu detajet e bombardimit dhe shpjegoi se libri synon t’u përcjellë brezave të rinj edhe ngjarje që nuk i kanë përjetuar vetë.
“Ka shumë histori të dhimbshme. Historia ka pasur luftëra, pushtime. Shqiptarët s’e dinin se ata që kemi aleatët tanë, SHBA, në 1943 e kanë bombarduar Tiranën. Anglezë dhe amerikanë, nisen nga Italia dhe nisen në Tiranë në 1943 dhe për fat të keq dy prej pilotëve kishin pirë dhe në qytetin e Tiranës janë vrarë 500 njerëz, mes tyre fëmijë. Ka dëshmitarë të kësaj masakre. Mes Rrugës së Kavajës dhe Sheshit Skënderbej, deri te Ushtari i Panjohur. Kjo është ngjarje e panjohur. Trupat amerikanë dhe anglezë ishin të koordinuar me Enver Hoxhën, që të sulmonin gjermanët, dhe ai ta kishte të lehtë të merrte pushtetin. Për 50 vjet është gati e panjohur që amerikanët kanë vrarë 500 njerëz në një sulm me viktima civilë.
Jam përpjekur që të bëj një libër që e lexon një fëmijë apo një i moshuar. Ata që janë 18-vjeçarë, për ta duhet të jetë interesante koha e komunizmit. Kam shkruar dhe dhënë detaje për t’i bërë moshën e re që të kuptojnë se çfarë ndodhte në komunizëm. Nuk është faji im që personazhe më të mëdha janë burra, për shkak të shoqërisë maskiliste. Ishin burrat ata që merreshin me politikë apo biznes. Ndaj ka pak gra që kanë bërë jehonë dhe kanë marrë vendime për Tiranën. Por kam dhe motrat e Zogut, apo disa gra të tjera interesante. 6 muaj. E kam përfunduar në qershor. Tirana ka ngjarje të çuditshme akoma. Ka akoma shprehje të çmendurisë dhe marrëzisë. Viti 97, që e kam jetuar si shtetrrethim në Tiranë, ku punoja te Koha Jonë, e di shumë mirë se çfarë katastrofe ishte. Ky është moment interesant për ata që nuk e kanë jetuar. Viti 97 është unik. Më pëlqeu të merresha me 400 vite histori, deri në vitin 2000.”, tha ai.
