4 fitore në 4, 12 pikë të plota. PSG është thjesht perfekt në Champions, një skuadër që nuk njeh rival dhe që vijon të vendos rekorde. Ndaj Villareal, ekipi i Luis Enriques ishte i papërmbajtshëm duke “çmontuar” spanjollët me rezultatin e thellë 0-6. Kjo ishte ndeshja e 14 radhazi që PSG nuk njeh humbje në Champions, një rekord i ri në historinë e klubit. 4 gola realizuan “sheikët” brenda 17 minutash duke bërë që tifozët në stadium të përjetonin makthe.

Pavarësisht se Enrique nuk kishte në dispozicion 2 nga 3 sulmuesit e tij kryesorë, Dembele dhe Kvara, 6 minuta lojë i mjaftuan për të kaluar në avantazh me Neves, ndërsa në të 12-tën ishte Doue që dyfishoi shifrat. Në aksionin pasues, pas vetëm 1 minutë ishte Mayulu që realizoi edhe golin e tretë. Për të kompletuar “pokerin” e golave mendoi Fabian Ruiz, me mesfushorin spanjoll që me një goditje të bukur në kufijtë e zonës kompletoi “pokerin” e golave.

PSG nuk e uli ritmin as me fillimin e pjesës së dytë, ku sërish ishte Fabian Ruiz që kompletoi “dopjetën” e tij personale dhe golin e 5-të për ekipin francez. Kampionët në fuqi kishin kontrollin total të lojës dhe në të 78-të ishte Boly, me mbrojtësin 17-vjeçar që realizoi golin e tij të parë me fanellën e PSG duke sigluar shifrat përfundimtare në 0-6.

Në 4 ndeshje në Fazën e Ligës, PSG është ekipi i vetëm me pikë të plota, ndërsa vërtetuan edhe një herë se janë një “makineri” e vërtetë golash pasi në 4 ndeshje kanë shënuar 20 gola, me një mesatare të “frikshme” prej 5 golash për ndeshje.

Nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses trajneri Luis Enrique: “Ishte një ndeshje fantastike. E nisëm në mënyrë të shkëlqyer, ushtruam presion, rifituam topin shpejt dhe shënuam 3 gola të shpejtë. Jam shumë i kënaqur me atë që pashë në fushë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje”, u shpreh Luis Enrique pas suksesit 0-6 në transfertë përballë Villareal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb