Gazetari Almer Toska ka ngritur dyshime për shitjen e një vile qeveritare në Peshkopi, duke pretenduar se prona është blerë nga Arbër Abazi, dhëndri i ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, Toska prezantoi edhe një fotografi të vilës dhe deklaroi se blerja është kryer në fund të vitit 2025. Sipas tij, një emision investigativ i ka kërkuar informacion SPAK-ut lidhur me këtë çështje, por Prokuroria e Posaçme nuk ka kthyer përgjigje.
Gazetari ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si një pronë qeveritare ka dalë në shitje dhe mbi rrethanat e blerjes së saj. Ai përmendi gjithashtu lidhjen e pretenduar të kësaj prone me Ballukun, duke përmendur gjyshin e saj, Beqir Ballukun, teksa tha se ky i fundit ka pushuar atje si pjesë e nomenklaturës komuniste të kohës.
Deklarata e plotë e gazetarit Almer Toska:
“Kjo është vila qeveritare në Peshkopi. Kjo vilë është blerë. Nuk e di se si pronat qeveritare dalin në shitje, por është blerë nga Arbër Abazi, dhëndri i Belinda Ballukut. Kjo blerje ka ndodhur nga fundi i vitit 2025.
Një emision investigativ i ka bërë kërkesë SPAK-ut, i cili në regjistrin e tij shënon kërkesat për informacion, por nuk jep asnjë përgjigje për këtë çështje.
Dyshimet të çojnë te Belinda Balluku. Balluku, me 300 apartamente, për çfarë i duhej vila qeveritare? Pse ka pushuar gjyshi i saj? Gjyshi i Ballukut dikur ka pushuar në këtë vilë, si pjesë e nomenklaturës së asaj kohe. SPAK-u nuk jep shpjegime për këtë çështje.”
