Shpërthimi i fuqishëm që tronditi mesditën e sotme një pallat në qytetin e Elbasanit ka shkaktuar një viktimë. Një 83-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e ngjarjes së rëndë, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesë.

Shpërthimi ndodhi në një apartament në lagjen “Beqir Dardha”, duke shkaktuar shembjen e mureve të banesës dhe dëmtimin e një pjese të shkallëve të pallatit.

Forca e shpërthimit ishte e madhe, ndërsa banorët e zonës kanë përjetuar momente paniku dhe frike. Disa prej tyre e përshkruan ngjarjen si një tronditje të jashtëzakonshme, që u shoqërua me dëme të rënda në strukturën e ndërtesës.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe strukturat e emergjencës, të cilat nisën evakuimin e banorëve përmes mjeteve dhe shkallëve të emergjencës.

Humbja e jetës së 83-vjeçarja e rëndon bilancin e kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa pritet që grupet hetimore të përcaktojnë shkaqet dhe rrethanat e sakta të shpërthimit.

Dyshimet paraprake lidhen me një bombol gazi, por shkaku përfundimtar mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb