Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet ta paraqesë si sukses një dokument që, sipas tij, evidenton probleme serioze me korrupsionin, drejtësinë dhe funksionimin e institucioneve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se raporti i Brukselit është një dëshmi e keqqeverisjes së vendit, ndërsa akuzon Ramën se ka penguar drejtësinë përmes mbrojtjes politike të Belinda Ballukut në Kuvend.
“Edi Rama ia doli ta bëjë Shqipërinë me Regres Raport!”, shkruan Këlliçi, duke ironizuar mënyrën se si kryeministri ka interpretuar vlerësimet e Komisionit Europian.
Sipas deputetit demokrat, një prej çështjeve më shqetësuese që ngrihet në raport lidhet me trajtimin e çështjes së Belinda Ballukut, për të cilën ai pretendon se shumica parlamentare ka ndërhyrë për të penguar veprimet e drejtësisë.
Këlliçi ndalet gjithashtu te problematikat e prokurimeve publike, mungesa e llogaridhënies së qeverisë dhe refuzimi i ngritjes së komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.
Një tjetër kritikë e tij lidhet me lirinë e medias dhe fondet europiane për bujqësinë. Sipas Këlliçit, problematikat e evidentuara në administrimin e fondeve IPARD vazhdojnë të pengojnë financimet e reja europiane për sektorin bujqësor.
“Vetëm Kryeministri më i korruptuar në Europë mund ta quajë vlerësim dhe sukses raportin e BE, kur aty ngrihet shqetësimi për mbrojtjen e Belinda Ballukut dhe aferave të saj në Kuvend duke penguar drejtësinë, kur evidentohet abuzim i lartë në tenderat qeveritare, kur theksohet refuzimi i llogaridhënies, i komisioneve hetimore që ka kërkuar Partia Demokratike dhe opozita, kur vihet në dukje cënimi i lirisë së medias, ku thuhet hapur se fondet e IPARD III sërish nuk do të vijnë, pasi autoritetet këtu nuk bindin se nuk do t’i vjedhin prapë”, deklaron Këlliçi.
Deputeti demokrat e konsideron raportin një tjetër argument për akuzat e opozitës ndaj qeverisë, duke pretenduar se problemet e evidentuara nga institucionet europiane tregojnë se kryeministri është kthyer në pengesë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Këto janë vetëm disa nga ‘vlerësimet’ e Komisionit, për Edi Ramën e qeverisjen e tij, ku qartazi del se ai është pengesa kryesore e integrimit të vendit tonë. Sigurisht Narkoshteti i parë në Europë, nuk mund të trajtohet ndryshe!”, përfundon ai.
