Dy persona janë arrestuar nga policia në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve në automjetet e tyre janë gjetur sasi të dyshuara lëndësh narkotike, ndërsa njërit prej tyre i është sekuestruar edhe një pistoletë imituese me zara metalikë.

Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale R. S., 36 vjeç, dhe I. S., 50 vjeç, të dy banues në kryeqytet, të cilët dyshohen se merreshin me shitjen e kokainës dhe kanabisit.

Arrestimet janë kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Variety”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjeta”.

Sipas policisë, 36-vjeçari është ndaluar në rrugën “Njazi Meka”, ku gjatë kontrollit fizik, në banesë dhe në automjetin që drejtonte, janë gjetur sasi dhe doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi. Në automjetin e tij është zbuluar gjithashtu një pistoletë imituese e armës së zjarrit, me zara metalikë.

Ndërkohë, 50-vjeçari është ndaluar në bulevardin “Zogu i Parë”. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, efektivët kanë gjetur një sasi të dyshuar kokaine, të ndarë në doza, që sipas policisë ishte përgatitur për shitje.

Në përfundim të operacionit, policia ka sekuestruar lëndët narkotike, pistoletën imituese, dy automjetet dhe telefonat celularë të të arrestuarve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb