Një nga banorët e pallatit të shkatërruar nga shpërthimi i fuqishëm në Elbasan ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi së bashku me familjen e tij, teksa një pjesë e strukturës së ndërtesës u shemb dhe i bllokoi daljen nga banesa.

Mes tronditjes dhe dëshpërimit, ai ka treguar se në momentin e shpërthimit dera e ballkonit e goditi në kokë, ndërsa dëgjoi të birin që kërkonte ndihmë, pa pasur mundësi të shkonte pranë tij.

Sipas banorit, forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa një pjesë e soletës u shemb mbi katin ku ndodhej familja, duke bllokuar derën dhe duke e bërë të pamundur daljen nga banesa.

“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste ‘O ba, të lutem më ndihmo!’ dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra ‘Merrni zjarrfikësit’”, ka rrëfyer ai.

Banori ka treguar se djali arriti të shpëtonte falë ndërhyrjes së bashkëshortes së tij, e cila mundi të hapte derën e bllokuar.

“Shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Soleta ra mbi katin tonë, zuri derën dhe nuk dilja dot të nxirrja djalin. Fatmirësisht erdhi gruaja, hapi derën dhe doli djali”, është shprehur ai.

Por përveç tmerrit të përjetuar, banori ka ngritur edhe një shqetësim serioz për ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës. Sipas tij, rruga që të çonte drejt pallatit ishte e bllokuar nga një ndërtim shtesë, duke penguar hyrjen e automjetit zjarrfikës.

“Rruga ishte e zënë dhe zjarrfikësja nuk hynte dot. Është një shtesë që bllokonte hyrjen e automjetit”, ka deklaruar ai.

Shpërthimi i fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar dëme të rënda në strukturën e ndërtesës. Sipas informacioneve, një person ka humbur jetën, ndërsa një e moshuar rezultonte ende i pagjetur.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb