Aktivisti i njohur pro-demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong, është dënuar me 10 vite të tjera burg, pasi u shpall fajtor për komplot dhe bashkëpunim me forca të huaja në një çështje që lidhet me ligjin e sigurisë kombëtare të vendosur nga Kina në vitin 2020. 30-vjeçari, një nga figurat më të njohura të lëvizjes demokratike në Hong Kong dhe protagonist i protestave masive të vitit 2019, pranoi fajësinë në shtator. Autoritetet e akuzuan se kishte bashkëpunuar me aktivistin Nathan Law dhe persona të tjerë për të kërkuar mbështetjen e vendeve dhe organizatave të huaja në vendosjen e sanksioneve, bllokadave dhe masave të tjera kundër Kinës dhe Hong Kongut.

Gjykatësi William Tam e konsideroi veprën me natyrë të rëndë dhe caktoi fillimisht një dënim prej 13 vitesh burg. Megjithatë, duke marrë parasysh pranimin e fajësisë dhe rrethanat lehtësuese, dënimi u reduktua në 10 vite, minimumi i parashikuar për këtë kategori shkeljeje.

Wong ndodhet në burg që prej nëntorit 2020 dhe aktualisht po vuan edhe një dënim prej 4 vitesh e 8 muajsh për përfshirje në aktivitete të konsideruara subversive nga autoritetet. Ai pritej të lirohej në janar 2027, por vendimi i fundit e shtyn lirimin e tij deri në fund të vitit 2036. Gjatë paraqitjes në gjykatë, aktivisti u shfaq i qetë, i veshur me një këmishë blu dhe syze të errëta. Ai përshëndeti me dorë mbështetësit e pranishëm dhe i falënderoi për mbështetjen përpara se të largohej nga salla. Disa prej tyre i thirrën: “Do të presim derisa të dilni”.

Dhjetëra persona kishin pritur për orë të tëra jashtë gjykatës për të ndjekur procesin, ndërsa zona ishte rrethuar nga forca të shumta policore. Dënimi ka nxitur reagime nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Human Rights Watch e cilësoi vendimin të padrejtë dhe akuzat si të pabazuara, duke kërkuar lirimin e aktivistit. Ndërkohë, autoritetet e Hong Kongut e kanë mbrojtur vendimin, duke argumentuar se aktiviteti i tij përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: