Studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, do të depozitojnë tre ankime në Gjykatën Kushtetuese kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026.

Përmes një njoftimi, studentët bëjnë me dije se do të paraqiten sot, më 5 nëntor, në orën 14:00, për të kundërshtuar aktet që, sipas tyre, kufizojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.

Në këtë nismë janë bashkuar Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.

Tre aktet që kundërshtohen janë:

– Akti normativ nr. 5/2026, i cili, sipas ankuesve, i jep policisë kompetenca për të ndaluar ose kufizuar protestat pranë institucioneve, për të larguar qytetarët nga zonat e mbrojtura, për të kërkuar fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe për të vendosur gjoba deri në 500 mijë lekë.
– Akti normativ nr. 6/2026, i cili parashikon përgjegjësi solidare për organizatorët e protestave për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë, si dhe vendos gjoba për sjellje të kryera përpara hyrjes në fuqi të këtyre sanksioneve.
– VKM-ja nr. 815/2026, e cila, sipas studentëve dhe organizatave, krijon një regjistër policor që mund të sjellë kufizime të lëvizjes jashtë vendit pa vendim gjykate, si dhe njoftimin e shteteve dhe strukturave hoteliere për personat e regjistruar.

Ankuesit argumentojnë se këto akte cenojnë të drejtat demokratike dhe krijojnë një klimë frike për qytetarët që kërkojnë të protestojnë kundër vendimeve të qeverisë.

Ata kundërshtojnë gjithashtu pretendimin e qeverisë se paketa synon mbrojtjen e protestave paqësore dhe se përgjegjësia është gjithmonë individuale, duke theksuar se dispozitat e reja mund të ndëshkojnë edhe persona që nuk kanë ushtruar dhunë.

Për këtë arsye, studentët dhe organizatat e shoqërisë civile i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ata theksojnë se ankimet do të ruajnë objektin edhe në rast se Kuvendi i miraton aktet normative, pasi i kanë kërkuar Gjykatës që kontrolli kushtetues të shtrihet edhe mbi ligjet miratuese.

Në reagimin e tyre, studentët shprehen se nuk duan të rriten në një shoqëri ku kundërshtimi i pushtetit konsiderohet faj dhe pjesëmarrja në protesta shihet si arsye për trajtim armiqësor nga shteti.

“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë”, thuhet në reagimin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb