Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit të Grupit C1 në Ligën C të UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, më 15 nëntor, në stadiumin “Illovszky Rudolf” të Budapestit, Hungari. Takimi do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, për shkak të sanksioneve të vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë.

Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të marrë më 3 mars 2022 dhe që është ende në fuqi, klubet dhe ekipet kombëtare bjelloruse janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në terrene neutrale. Po ashtu, vendimi parashikon që këto ndeshje të luhen pa praninë e tifozëve.

Për këtë arsye, edhe përballja Bjellorusi – Shqipëri në Budapest nuk do të jetë e hapur për publikun. Tifozët shqiptarë nuk do të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, pavarësisht se takimi do të zhvillohet në një impiant jashtë territorit të Bjellorusisë.

Kuqezinjtë do ta mbyllin kështu fazën e grupeve të UEFA Nations League me këtë transfertë, në një ndeshje të rëndësishme për përfundimin e aventurës në Grupin C1.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: