Debat i ashpër është zhvilluar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është përplasur me ministrin Blendi Gonxhe për protestat dhe reagimin e policisë ndaj demonstruesve.
Gjatë diskutimeve, Zhupa akuzoi qeverinë për dhunë ndaj protestuesve. Ajo përmendi rastet e personave të plagosur, duke deklaruar se nuk mban mend të ketë parë më parë protestues me sy të nxjerrë, këmbë të thyera apo kafka të çara.
Nga ana e tij, Gonxhe argumentoi se mjetet e përdorura nga policia janë pjesë e forcës së ligjit dhe shërbejnë për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e jetës në qytet. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për anulimin e eventeve ndërkombëtare për shkak të bllokimit të rrugëve nga protestuesit.
Zhupa iu përgjigj se shqetësimi i saj kryesor është gjendja e qytetarëve, të cilët, sipas saj, nuk përballojnë dot ilaçet, arsimin e fëmijëve dhe përballen me dhunën. Deputetja kritikoi gjithashtu mungesën e institucioneve të rëndësishme kulturore, duke përmendur Muzeun Kombëtar, Teatrin Kombëtar dhe Cirkun Kombëtar.
Në fund të debatit, Zhupa bëri edhe një koment ironik për përplasjet brenda Partisë Socialiste, duke iu referuar letrave të Erion Veliajt nga burgu dhe deklaratës së tij se ishte persekutuar.
Pjesë nga debati:
Blendi Gonxhe: Krahasoni protestat e sotme me ato të viteve ’91 dhe ’96?
Ina Zhupa: Flasim për një kontekst më të dhimbshëm për shqiptarët. Nuk mbaj mend të kem parë sy të nxjerrë, këmbë të thyera, kafka të çara. Ju keni masakruar rininë shqiptare, keni harxhuar paratë e buxhetit për të blerë mjete për të dhunuar protestën dhe për mua nuk ka gjë më të rëndë.
Blendi Gonxhe: Ato mjete janë forca e ligjit për të garantuar jetën dhe mbarëvajtjen e atyre që kanë investuar, rezervuar. Ka jetë sociale qyteti, nuk mund të bllokohet. Shumë keq që nuk shqetësoheni që eventet ndërkombëtare duhet të anulohen se 50 persona bllokojnë rrugën.
Ina Zhupa: Unë shqetësohem kur qytetarët e vendit tim nuk blejnë dot ilaçet, nuk arsimojnë dot fëmijët, dhunohen. Si ka mundësi që më thua pengohen eventet, kur jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi Muze Kombëtar, Teatër Kombëtar, Cirk Kombëtar. Edhe për këto protestojnë qytetarët dhe artistët, sepse nuk u jepni standarde për një jetë normale kulturore.
Zhupa: Unë mbaroj për letrat nga burgu ku hani kokat e njëri-tjetrit. Më persekutuan, tha zoti Veliaj. Është armik i partisë tani? Nuk kam asgjë për të thënë, veç ju shtofshin inatet dhe lufta.
