Studentët protestues kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese tre ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor, të cilat, sipas tyre, cenojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.

Në një deklaratë për mediat, studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor” bëjnë me dije se kanë nënshkruar tre ankime së bashku me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.

Ankimet kundërshtojnë Aktin Normativ nr. 5/2026, i cili, sipas studentëve, i jep policisë kompetenca për të ndaluar ose kufizuar protestat pranë institucioneve, për të larguar qytetarë nga zonat e mbrojtura, për të kërkuar fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe për të vendosur gjoba deri në 500 mijë lekë.

Po ashtu, kundërshtohet Akti Normativ nr. 6/2026, që parashikon përgjegjësi solidare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit, si dhe vendos gjoba për sjellje të kryera përpara se këto sanksione të ekzistonin. Ankimi i tretë lidhet me VKM-në nr. 815/2026, përmes së cilës krijohet një regjistër policor në prokurori. Sipas studentëve, ky mekanizëm mund të sjellë kufizime të lëvizjes jashtë vendit pa një vendim gjykate, njoftimin e shtetit ku udhëton personi, si dhe informimin e hoteleve nga policia.

Studentët i cilësojnë këto akte si një përpjekje për të kufizuar hapësirën demokratike dhe për të frikësuar qytetarët që kundërshtojnë qeverinë.

“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin”, thuhet në deklaratë. Ata kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Studentët theksojnë gjithashtu se ankimet nuk humbasin objektin edhe në rast se aktet normative miratohen nga Kuvendi, pasi i kanë kërkuar Gjykatës të shtrijë kontrollin kushtetues edhe mbi ligjet miratuese. Në përfundim të deklaratës, protestuesit shprehen se nuk duan të rriten në një realitet ku kundërshtimi i pushtetit konsiderohet faj dhe pjesëmarrja në protesta shihet si arsye për t’u trajtuar si armik.

“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, përfundojnë studentëtme deklaratën e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb