Saliu Guindo duket se ka rigjetur veten larg Shqipërisë. Sulmuesi nga Mali po kalon një moment pozitiv në kampionatin vietnamez, ku aktivizohet me skuadrën e Thanh Hoa, duke treguar se ende ka shumë për të dhënë në karrierën e tij.

Sezoni 2026/27 ka nisur në mënyrën më të mirë për Guindon, i cili në gjashtë ndeshje të zhvilluara në V.League 1 ka realizuar tre gola dhe ka dhënë një asist. Sulmuesi ka regjistruar 364 minuta aktivizim, duke gjetur rrugën e rrjetës mesatarisht çdo 121 minuta. Një statistikë që tregon formën e mirë që po kalon në aventurën e tij të re. Ky shpërthim në Vietnam vjen pas një periudhe jo shumë produktive te Dinamo.

Në sezonin 2025/26, Guindon zhvilloi 29 ndeshje me fanellën blu në Superiore, duke shënuar vetëm katër gola dhe duke dhënë dy asiste. Një bilanc larg atij që kishte regjistruar më parë në futbollin shqiptar, ku në disa sezone kishte treguar se ishte një sulmues me nuhatje të mirë për golin. Në fakt, Shqipëria ka qenë një nga vendet ku Guindo ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij. Sulmuesi nga Mali ka luajtur me Skënderbeun, Bylisin, Laçin, Egnatian dhe Dinamon, duke regjistruar në total 108 ndeshje dhe 45 gola në kampionatin shqiptar.

Periudha e tij më e mirë ishte padyshim ajo me Laçin. Në sezonin 2021/22, Guindon realizoi 19 gola në 34 ndeshje, ndërsa në sezonin pasardhës vijoi me një tjetër paraqitje pozitive, duke shënuar 11 gola në 18 takime. Në dy sezone me kurbinasit, sulmuesi realizoi plot 30 gola, duke lënë gjurmë në kampionatin shqiptar.

Më pas, ai provoi eksperienca jashtë Shqipërisë, me Maccabi Petah Tikva në Izrael dhe Lamian në Greqi, përpara se të rikthehej në Superiore me Egnatian. Me rrogozhinasit shënoi vetëm një gol në 15 ndeshje, ndërsa aventura e fundit në Shqipëri me Dinamon nuk rezultoi në nivelin e pritshmërive.

Tashmë, në kampionatin vietnamez, Guindon duket se ka gjetur sërish ritmin e duhur. Tre gola dhe një asist në gjashtë ndeshje me Thanh Hoa janë treguesit e një nisjeje premtuese, që e vendosin sulmuesin nga Mali në një tjetër moment të karrierës së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb