Mbrëmje për t’u harruar për Napolin, që pëson një humbje të rëndë 4-1 në transfertën ndaj Portos, në javën e katërt të Champions League, duke mbetur me vetëm 3 pikë pas 4 ndeshjeve të para, duke rrezikuar kështu ndjeshëm vijimin e rrugëtimit evropian. Skuadrës së Allegrit nuk i mjafton goli i McTominay në pjesën e parë, që shënoi golin e barazimit provizor, Pas barazimit të përkohshëm, Napoli shembet në pjesën e dytë, duke pësuar tri gola të tjerë dhe duke regjistruar humbjen e tretë në katër ndeshje europiane. Portugezët siguruan fitoren falë Bednarek, Gabri Veiga, Kiwior dhe penalltisë së Samu në kohën shtesë.
Por përveç rezultatit, ato çfarë e bëjnë edhe më shqetësuese situatën tek napoletanët janë edhe tensionet brenda skuadrës. De Bruyne dhe Lucca u përplasën në fushë, ndërsa pas ndeshjes Matteo Politano kritikoi hapur disa prej shokëve të skuadrës, duke kërkuar që të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre. Edhe Hojlund dhe McTominay kërkuan një reagim të menjëhershëm nga i gjithë grupi, teksa me deklaratat e tyre lanë të kuptohet hapur se nuk ishin dakord me zgjedhjet e teknikut Max Allegri.
Tashmë Napoli duhet të lërë pas këtë mbrëmje të errët dhe të gjejë forcën për të reaguar, pasi në fundjavë e pret një tjetër sfidë e vështirë ndaj Lazios në stadiumin “Diego Armando Maradona”.
