Ish-këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Kreshnik Çollaku, ka komentuar çështjen e ish-drejtueses së SHISH-it, e arrestuar së fundmi, si dhe lidhjet e saj të pretenduara me dy shtetas izraelitë. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Çollaku u shpreh se ngjarja nuk mund të zbardhet plotësisht pa u hetuar edhe në Kosovë shkarkimi i saj nga detyra.
Ai theksoi se ka kërkuar që institucionet shqiptare të marrin nga autoritetet e Kosovës informacion të plotë mbi arsyet e shkarkimit, duke pretenduar se këto arsye i janë bërë të ditura zyrtarisht edhe kryeministrit Edi Rama.
“Publiku e kujton se çfarë kam thënë për këtë ngjarje. Kam thënë se rasti i ish-kreut të SHISH-it, të arrestuar, për t’u kuptuar dhe zbardhur i plotë, nuk mund të bëhet pa u hetuar në Kosovë shkarkimi i saj. Ajo që kam thënë, për shkak të një kufizimi shtetëror për të mos bërë publik çdo informacion që kam, është se arsyet e shkarkimit kanë qenë edhe arsyet e emërimit. Ju iu referuat ngjarjeve të fundit për komunikimet me dy shtetas izraelitë. Më e rënda është se njëri prej tyre ka qenë këshilltar i Vuçiçit, në një periudhë të afërt. Historia është përtej një historie kriminaliteti apo një historie rozë, ku u çmend shefja e Shërbimit dhe ra në dashuri. Historia është më e thellë.
Një personazh i tillë, që Kosova e shkarkon për një arsye dhe e emëron kryeministri i Shqipërisë, ndërkohë që zonja pohon se ruan të njëjtat kontakte me një ish-këshilltar të presidentit serb, ngre pikëpyetje të mëdha. Aludohet se këtu janë cenuar agjenda kombëtare, për grupe kriminale apo grupe biznesi. Ndaj insistoj në këtë gjë. Kjo histori nuk zbardhet nëse nuk kërkohet nga institucionet e Kosovës informacioni konfidencial, por i plotë, mbi arsyet e shkarkimit. Rama i ka ditur arsyet e shkarkimit të zonjës, është njoftuar në rrugë zyrtare.”, tha ai.
