Një 21-vjeçar gjerman po hetohet nga autoritetet austriake, pasi dyshohet se ka braktisur në mal të dashurën e tij 17-vjeçare, në temperatura disa gradë nën zero. Ngjarja ndodhi në malin Zugspitze, më i larti në Gjermani, ku e mitura mbeti e bllokuar në një lartësi prej rreth 2.500 metrash, mes borës dhe kushteve të vështira atmosferike.

E reja u detyrua të telefononte vetë shërbimet e emergjencës për ndihmë. Pas mbërritjes së ekipeve të shpëtimit, ajo u transportua me helikopter nga mali dhe më pas me ambulancë drejt spitalit në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani. Sipas autoriteteve, 17-vjeçarja kishte pësuar hipotermi, por pas marrjes së ndihmës mjekësore u largua nga spitali.

Dy të rinjtë ishin nisur në orët e para të mëngjesit të së dielës nga zona turistike e Ehruald, në Tirolin austriak, me synimin për të parë lindjen e diellit në majën e Zugspitze, e cila ndodhet në 2.962 metra lartësi.

Por kushtet atmosferike u përkeqësuan ndjeshëm. Temperaturat kishin zbritur deri në -12 gradë Celsius, ndërsa bora ishte aq e madhe sa alpinistët ecnin në të deri në gjunjë. Përballë vështirësive, dy të rinjtë ndryshuan planet për të arritur majën dhe në një moment u ndanë nga njëri-tjetri. 21-vjeçari zbriti i vetëm nga mali, duke e lënë 17-vjeçaren të bllokuar në kushte ekstreme.

Arsyeja e ndarjes së tyre mbetet ende e paqartë. Një zëdhënës i policisë austriake ka refuzuar të japë detaje të mëtejshme, duke iu referuar hetimit në vijim.

Në operacionin e shpëtimit u angazhuan shtatë pjesëtarë të ekipeve malore, ndërsa për nxjerrjen e vajzës nga zona e rrezikshme u përdor edhe një helikopter.

21-vjeçari po hetohet për dyshimin e rrezikimit të sigurisë fizike të një personi tjetër. Sipas legjislacionit austriak, një vepër e tillë mund të dënohet deri në tre muaj burg. Pas përfundimit të hetimeve, policia do t’i dërgojë raportin Prokurorisë së Innsbruckut, e cila do të vendosë nëse janë konsumuar elementët e një vepre penale.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një rast tragjik të ndodhur në janar të vitit 2025, në malin Grossglockner, majën më të lartë të Austrisë. Atëherë, një 33-vjeçare humbi jetën nga ngrirja, pasi i dashuri i saj e la në mal.

Partneri i saj u shpall më vonë fajtor për vrasje nga pakujdesia e rëndë. Gjatë gjyqit, ai pretendoi se ishte larguar për të kërkuar ndihmë, duke këmbëngulur se e kishte dashur partneren dhe se ishte thellësisht i penduar për atë që kishte ndodhur.

Prokuroria argumentoi se, si alpinisti më me përvojë, ai kishte përgjegjësinë të drejtonte ekspeditën dhe se kishte dështuar të ndërpriste ngjitjen apo të kërkonte ndihmë në kohën e duhur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb