Sky TG24: Protestat studentore në Tiranë, një nga sfidat më të vështira politike për Ramën

Protestat e zhvilluara në Tiranë vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Media e njohur italiane Sky TG24 i ka kushtuar një artikull dhe një raportim me video zhvillimeve në Shqipëri, duke e cilësuar lëvizjen studentore si një nga sfidat më të vështira politike për kryeministrin Edi Rama.

Në raportimin e saj, media italiane përshkruan përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit në kryeqytet, duke theksuar se grupe protestuesish me fytyrat e mbuluara kanë bllokuar rrugët dhe kanë hedhur mjete piroteknike në qendër të Tiranës.

Sipas Sky TG24, policia ka ndërhyrë me autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit dhe për të rikthyer qarkullimin në akset e bllokuara.

Media italiane ndalet edhe te arsyet që kanë nxitur protestat, të cilat nisën në mesin e muajit tetor dhe drejtohen kryesisht nga studentët. Lëvizja kundërshton korrupsionin në qeveri, mungesën e vendeve të punës dhe problematikat që lidhen me reformat në sistemin arsimor.

“Lëvizja protestuese përbën një nga sfidat më të vështira politike për kryeministrin Edi Rama”, shkruan Sky TG24, duke i kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe përshkallëzimit të protestave në kryeqytet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb