Nënkryetari i PD-së Nikola Kedhi, i ftuar në emisionin Minuta e parë deklaroi se sot shumica patriotike e shqiptarëve janë kundër autokracisë.
Kedhi tha se qytetarët shqiptarë janë prekur në dinjitet. Ai bëri thirrje për bashkim, në mënyrë që të rrëzohet kryeministri Edi Rama.
“Unë ndaj të njëjtat shqetësime me ata të rinj që kanë dalë në protestë. Të rinjtë janë prekur në dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Janë prekur në dinjitet kur kanë parë se nuk ia dalin dot, sepse nuk mund të ecin dot përpara, sepse nuk ka njohje. Sot një i ri nuk blen dot një apartament, nuk merr dot një apartament me qira.
Sot shumica patriotike janë kundër autokracisë. Të rinjtë janë heronj, kanë qasje fitimtari. PD do i mbështesë të rinjtë, sepse e kemi detyrë patriotike. Policia ka ushtruar dhunë barbare, a thua se kishin ushtri armike përballë”, tha Kedhi.
I pyetur për faktin se a ka PD gati listën me kandidatë për zgjedhjet vendore, Kedhi nënvizoi se në Partinë Demokratike ka figura të shumta me vlera dhe se së shpejti do të dilet me emrat.
“PD është një parti e madhe. Mendoj se do të ketë mbledhje në Partinë Demokratike dhe do të përzgjidhen kandidatët. Ftesën e kanë të gjithë. Kushdo që e quan veten patriot e kushdo që është kundër autokracisë, që në fakt është pakicë, të bashkohet. Shqipëria kërkon që ne si opozitë të bashkohemi dhe të rrëzojmë autokracinë.
Kandidati i PD apo opozitës për Tiranën duhet të jetë politik. Gjithçka është politike, edhe kur kemi një kërkesë të thjeshtë”, u shpreh Kedhi.
