Kombëtarja U-21 ka nisur grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor, ndaj Luksemburgut dhe Spanjës, që do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi do të shfrytëzojë këto dy teste të rëndësishme për të vijuar përgatitjet në funksion të objektivit për Kampionatin Europian U-21. Përballjet me dy kundërshtarë të fortë do t’i shërbejnë ekipit për të matur gjendjen dhe për të fituar më shumë eksperiencë.

Në prag të këtyre dy sfidave, për fshf.org kanë folur futbollistët Erald Maksuti dhe Ergis Arifi, të cilët vlerësojnë atmosferën pozitive në skuadër dhe rëndësinë e këtyre ndeshjeve në rrugëtimin drejt Europianit.

Maksuti thekson se ekipi është gati të nisë punën për dy përballjet, ndërsa vlerëson edhe mundësinë për të luajtur sërish në “Air Albania”, para tifozëve shqiptarë.

“Atmosfera është shumë e mirë. Presim që të bashkohet i gjithë ekipi. Do të nisim stërvitjen dhe përgatitjet për dy ndeshje shumë të forta që i kemi me Luksemburgun dhe Spanjën. Janë ekipe të forta. Kemi luajtur me Luksemburgun, gjithashtu njohim edhe Spanjën, sepse është një fuqi botërore. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme që të arrijmë në Europian me rezultate më të mira”,- shprehet Maksuti.

Futbollisti i Kombëtares U-21 fton gjithashtu tifozët të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin skuadrën në të dyja ndeshjet.

“Të luash në “Air Albania” është kënaqësi, sepse luajmë para familjes dhe para një publiku të mrekullueshëm që kemi ne. Sa më shumë të jenë në numër, aq më shumë motivim do të jetë për ne”, – thekson ai.

Edhe Ergis Arifi vlerëson rëndësinë e këtyre dy miqësoreve, duke nënvizuar se përballjet me Luksemburgun dhe Spanjën janë një mundësi e mirë për skuadrën për t’u përgatitur sa më mirë për Europianin.

“Atmosfera është shumë e mirë, presim të na bashkohen edhe lojtarë të tjerë dhe të vazhdojmë stërvitjen për këto dy ndeshje shumë të rëndësishme. Kundërshtarët janë shumë të fortë. Kjo është gjë e mirë për ne, pasi Luksemburgu dhe Spanja janë dy ekipe shumë të forta. Na duhet të dalim me rezultate sa më të mira për të qenë gati për Europian”, – tha ai.

Në fund, edhe Arifi ka një ftesë për tifozët shqiptarë, duke vlerësuar mbështetjen e tyre si një motivim shtesë për skuadrën.

“Është një privilegj për ne që të luajmë në ‘Arenën Kombëtare’. I ftoj që të jenë sa më të shumtë në numër, sepse edhe ne jemi më të motivuar me ta”, – përfundon futbollisti kuqezi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb